Kryeparlamentari Glauk Konjufca tha se për dhunën që u pa në Veri gjatë tensioneve dihet se kush është përgjegjësi.
Ai përmendi një polic të Serbisë, i cili nga pamjet që u publikuan nga protestat u pa që ushtroi dhunë ndaj ushtarëve të KFOR-it.
“Kush është përgjegjës për këtë dhunë? Ai polici me shkop në dorë që e pamë e që e qiti ai deputeti i Bundestagut. Ai ishte polic i Serbisë. Ai punonte me uniformë të Serbisë në Smederevë a ku punonte dhe pasdite kishte ardhur këtu me bo dhunë mbi ushtarët e KFOR-it. Kur i sheh të gjitha këto dhe me marrë masa ndaj Kosovës, me të vërtetë kjo po më pikëllon”, tha Konjufca në T7.
Konjufca tha se bashkësia ndërkombëtare mori masa vetëm ndaj Kosovës “thuajse Serbia s’ka kurrfarë përgjegjësie” për situatën aktuale, derisa për presidentin serb Vuçiq tha se përgjegjësia e Vuçiqit është e drejtpërdrejtë.
“Nga ky aspekt më duken si të padrejta, thuajse se Serbia ska kurrfarë përgjegjësie për ato që po ndodhin në veri. Përgjegjësia e Vuçiqit është e drejtpërdrejtë. ka dalë publikisht dhe i ka kërkuar serbëve të japin dorëheqje, ai e filloi. Institucionet mbeten vakante. Tash ishin dy opsione ose të triumfonte ai Vuçiqit ose ai i Kosovës. Dy herë e kemi shtyrë afatin për zgjedhjet”, tha Konjufca në një intervistë për T7.