I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se sanksionet për Serbinë janë të gatshme.
Lajçak nuk ka dashur të komentojë masat ndëshkuese që Bashkimi Evropian i ka vendosur ndaj Kosovës, por bëri të ditur se BE-ja i ka gati sanksionet edhe për Serbinë.
“BE-ja e ka bërë të qartë se i ka sanksionet gati për Serbinë dhe ato do të implementohen nëse vendet anëtare vendosin që Serbia nuk i bindet BE-së. Ky është vendim i shteteve anëtare. Nesër do të jem në Beograd. Dëshira ime është që mos të ketë sanksione për Kosovën dhe Serbinë, por që t’i kemi të dyja palët duke u takuar në Bruksel dhe të negociojnë se si të implementohet marrëveshja e muajit shkurt Marrëveshja e Ohrit”, tha Lajçak.
Ai shtoi se me kryeministrin Kurti i kanë paraqitur pikëpamjet dhe idetë e tyre dhe se “kanë rënë dakord që procesi të vazhdojë”.
Tutje, ai tha se Bashkimi Evropian nuk është i lumtur për të paraqitur masa, dhe se sipas tij, diskutimi aktual është që të arrihet në fazën ku masat do të ndaleshin.
“Dëshira ime nuk është të kemi sanksione mbi Kosovën dhe Serbinë. Dëshira ime është që të mos kemi sanksione dhe të kemi takime me të dyja palët në Bruksel dhe të diskutojmë se si t’i implementohen marrëveshjet”, tha Lajçak.
Lajçak më pas do të shkojë edhe në Serbi, në tentim për të bindur palët që përveç se të shtensionojnë situatën, t’i kthehen edhe tryezës së dialogut.
“Është pjesë përbërëse e punës së të dërguarit të posaçëm që të udhëtojë për t’u takuar me partnerët në terren”, tha një ditë më parë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke komentuar vizitën e Lajçakut. Ai shtoi se kjo vizitë në Kosovë është pjesë e punës për “lëvizjen e dialogut përpara”.