Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka mbetur e heshtur për përjashtimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës nga “Defender 23” dhe për sanksionet e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës për mospërfilljen e planit për shtensionim të situatës në Veri nga Qeveria, derisa kryeministri Albin Kurti, tha të hënën se masat ndëshkuese, “për bindjen time të fuqishme, janë të padrejta”.
Për Ismail Sylën, ish-këshilltar i ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, Osmani është e pa kënaqur me politikën “anti-amerikane” të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, por “s’ka guxim ta thotë”.
“S’ka guxim për shkak të detyrimeve që mund të ketë ndaj Kurtit. Osmanit me siguri është e pakënaqur me këtë intonacion anti- amerikan që e ka prodhuar Albin Kurti me ministrat e tij që tallen me ShBA-në”, thotë Syla për Albanian Post.
Syla mendon se presidentja e vendit është duke u treguar e pa fuqishme si presidente, meqë në heshtje po përpiqet të tregoi që nuk është anti-amerikane.
“Ende nuk ka arritur të bëjë distancën e qartë me politikën anti-amerikane të Kurtit, gjë që është një mjerim politik i saj, sepse marrëdhëniet ShBA-Kosovë janë buzë greminës”, shprehet Syla.
Ndërkaq për ish-bashkëpartiakun e Osmanit, Lutfi Hazirin, nënkryetar i Lidhjes Demokratike të Kosovës, heshtja e presidentes, është miratim i politikës së kryeministrit Kurti.
“Zotëri Abdixhiku i ka dërguar një letër presidentes për të kërkuar sqarim për Defender 23 dhe sanksionet e BE-së. Heshtja është miratim, por roli kushtetues e i presidentes është mbi palët. Kryetari i i LDK-së ka kërkuar që presidentja ta sqaron vlerësimin e saj për sanksionet”, ka theksuar ai për AP.
Haziri, potencon se e para e shtetit nuk duhet të jetë e lidhur me asnjë parti politike, por “duhet ta ushtrojë rolin vet kushtetuese karshi zhvillimeve”.
“LDK-ja ia ka dhënë votën për t’u zgjedhur presidente”, rikujton Haziri.
Në anën tjetër, për ish-ministrin e Integrimit Evropian, Bekim Çollakun, tash anëtar i kryesisë së Partisë Demokratike të Kosovës, presidentja ka dëshmuar në vazhdimësi se nuk është në gjendje që të reflektojë dhe të marrë vendime në përputhje me interesat shtetërore.
“Në vend të kësaj, ajo ka zgjedhur që të përmbush me vendosmëri interesat e partisë në pushtet, parti kjo e cila së fundi po jep sinjale të qarta të sjelljes autokratike”, tha Çollaku.
Sipas tij, “kjo situatë e rëndë”, ka tendenca që të përkeqësohet në rast se elitat politike dhe intelektuale zgjedhin të rrinë të heshtura dhe të mos ndërmarrin asgjë.
“Në këtë skenar, ne do të rrezikojmë të dalim plotësisht nga trajektorja e jonë euro-atlantike dhe të mbesim një vend i izoluar dhe ndoshta edhe i dështuar. Ky është skenari më i keq në të cilin ndodhemi aktualisht”.
Ndërsa skenari “shpresëdhënës” për të dal nga kjo gjendje, Çollaku thotë se është veprimi racional i dy liderëve aktualë shtetërorë.
“Kryeministri aktual të jap dorëheqje menjëherë, ndërsa presidentja aktuale në koordinim me partitë politike të shpall datën e mbajtjeve të zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare”.
Prandaj, Çollaku thekson se “është e domosdoshme” që të ketë një reagim aktiv të shoqërisë për ndalimin e degradimin e mëtejshëm të institucioneve shtetërore dhe imazhit të vendit në arenën ndërkombëtare.
“Ky dëm që është duke iu bërë Kosovës dhe qytetarëve të saj nga këta dy udhëheqës, sigurisht që mund të lerë pasoja afatgjata në përpjekjet tona për realizimin e vizionit për integrim euro-atlantik të Kosovës, respektivisht anëtarësimin në BE dhe NATO”, shtoi ai.
Ish-ministri konsideron që kjo periudhë e qeverisjes dhe udhëheqjes shtetërore nga kryeministri dhe presidentja aktuale, do të mbahet në mend si periudha e vendosjes së sanksioneve politike dhe ekonomiko-financiare nga ana e BE-së dhe SHBA-së kundër Kosovës, për shkak të sjelljes së papërgjegjshme të dy udhëheqësve aktual shtetëror.
Ndryshe, masat ndaj Kosovës nga BE-ja përfshijnë suspendimin e përkohshëm të punës së trupave të krijuara në bazë të Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit, mosftesën e Kosovës në takime të nivelit të lartë dhe suspendimn e vizitave bilaterale, përveç atyre që fokusohen në adresimin e krizës në veri të Kosovës në kuadër të kornizës së dialogut të lehtësuar nga BE-ja.
Masat tjera përfshirë ndaljen e programimit të fondeve për Kosovën nga IPA 2024 (Instrumentet e Para-Anëtarësimit). Propozimet e Kosovës në kuadër të Kornizës së Investimeve në Ballkanin Perëndimor nuk janë dorëzuar për shqyrtim nga bordi më 29 dhe 30 qershor.