Lidhja Demokratike e Kosovës njoftoi sot se do të bojkotojë punën e Kuvendit, për shkak të situatës së krijuar ku BE vendosi masa ndaj Kosovës.LDK ka bërë të ditur se kështu do të vazhdojë deri në heqjen e këtyre masave.
Ndërsa, PDK njoftoi se ka vendosur të pezullojë komunikimin me presidenten dhe kryeministrin dhe se nuk do të votojë në Kuvend e as në komisione.Por, si do të veprojë AAK si parti po ashtu opozitare?
Zëdhënësi i kësaj partie, Kushtrim Xhemajli, në një prononcim për Gazeta Blic, thotë se AAK do të mbajë mbledhjen e kryesisë të mërkurën, ku do të vendosë për hapat e mëtejmë.“Të mërkurën do ta kemi mbledhjen e kryesisë dhe shumë shpejt do të njoftoheni për hapat e mëtejmë të AAK-së”, thotë ai.
Xhemajli shton se veprimet e Qeverisë kanë krijuar gjendje të rrezikshme dhe se është koha e fundit të veprohet, duke u bashkuar të gjithë ata që ia duan të mirën vendit dhe ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e Kurtit.“Fatkeqësisht, veprimet destruktive të Qeverisë kanë krijuar një gjendje të rrezikshme, me tendencë të përkeqësimit të vazhdueshëm, andaj vlerësojmë se është koha e fundit të veprohet, të bashkohen gjithë ata që ia duan të mirën vendit për ta ndalur degradimin e mëtejmë të shtetit në mënyrë që të jetësohet mocioni për shkarkimin e Kurtit”, deklaron ai.