Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në në Inaugurimin e Parkut dhe këndit të lojërave në fshatin Davidoc të Komunës së Shtimes.
Ai aty ka folur edhe për masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të cilat ai i ka quajtur të përkohshme dhe të padrejta.
“Këto nuk janë sanksione por është e vërtetë që janë masa të përkohshme por të padrejta për shkak se Kosova dhe qeveria e saj janë edhe shteti edhe ekzekutiv më demokratik pro-evropian dhe progresist. Në anën tjetër kemi një përballje të vazhdueshme me forma të ndryshme të agresionit të Serbisë që është shtet autokratik dhe pro-Rusisë dhe i paballafaquar me të kaluarën kriminale në hapësirën e ish-Jugosllavisë ku i ka shkaktuar katër luftëra”, u shpreh kryeministri.
Kurti tha se s’mund të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit.
“Sido që të jetë ne e bëjmë punën tonë, por le të mos harrojmë që nuk mundemi të bëjmë kompromis as me sundimin e ligjit as me kushtetutshmërinë e vendit tonë andaj ne do të vazhdojmë me zbatimin e programit tonë qeveritar dhe shpresojmë që këto masa të përkohshme do të jenë fort të shkurtra ashtu që edhe mbështetja edhe ndihma evropiane të jenë të plota për shkak se Kosova është një vend që ka nevojë për mbështetje në zhvillimin e saj”, tha ai.
Tutje, Kurti duke folur për dialogun tha se ne jemi të gatshëm dhe të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër, siç u shpreh ai, për normalizim me njohje de facto në qendër.
“Tryeza e dialogut është për zbatimin e marrëveshjes për normalizim të plotë dhe gjithashtu për deeskalim. Ne jemi të gatshëm, të interesuar shumë më tepër sesa pala tjetër për normalizim me njohje de facto në qendër, për njohje reciproke, por gjithashtu jemi të interesuar dhe të gatshëm për deeskalimin e gjendjes për çfarë unë kam folur edhe publikisht ë të gjitha gjuhët që i di në mënyrë që të kemi paqe e qetësi në veri të Kosovës, por edhe Kosova e Serbia si dy shtete të ndërtojnë fqinjësi të llojit evropian. Pra, nuk ka pengesa dhe vështirësi te pala jonë, ato ndodhen tek ana kundërshtare”, është shprehur tutje ai.