Kreu i partisë, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj sërish ka kërkuar rrëzimin e kryeministrit Kurti.
Ai së fundi, ka thënë se Kosova po hyn në një rrugë pa krye me mënyrën se si po udhëheq kryeministri, shkruan Gazeta Papirus.
Tutje, përmes postimit të tij në faqen zyrtare në Facebook, Haradinaj shton se shkarkimi i Kurtit përmes mocionit të mos-besimit është interes kombëtar.
Postimi i plotë:
Të dashur qytetarë të Kosovës,
I vetëdijshëm se Kosova me këtë kryeministër po hyn në një rrugë pa krye, para pak ditësh kërkova mocion për shkarkimin e Albin Kurtit.
Sanksionet e BE-së ndaj Kosovës dhe paralajmërimet e SHBA-së se Qeveria e Kosovës është në rrugë të gabuar, e dëshmojnë se sa e rrezikshme dhe e pashpresë është gjendja, e cila fatkeqësisht do të shkojë duke u përkeqësuar gjithnjë e më shumë.
Prandaj sot është koha të veprohet dhe të bashkohen të gjithë ata që interes parësor e kanë Kosovën, qofshin në opozitë ose edhe deputetë të shumicës, e ta jetësojnë mocionin për shkarkimin e kësaj Qeverie.
Hezitimi për të vepruar në kohë të një krize kaq të thellë e me pasoja të paimagjinueshme për vendin është bashkëfajësi.
Mocioni për shkarkimin e Albin Kurtit, sot është interes kombëtar!
/Gazeta Papirus/