Nënkryetarja e PDK-së, Vlora Çitaku në Blic Interview thotë se Këshilli Drejtues i Partisë Demokratike të Kosovës do të mblidhet të hënën, ku sipas saj do të merren vendime shumë të rëndësishme. Çitaku tha se synimi i kësaj mbledhjeje është ndalja e tendencës rrënuese të kryeministrit Kurti.
Ish-ambasadorja e Kosovës në SHBA njëherësh nënkryetare e PDK-së, Vlora Çitaku tha sse aleancat dhe orientimi euro-altantik nuk është vetëm deklarim vleror por ka një varg veprimesh, hapash, detyrimesh.
Çitaku tha se kërkesa e partnerëve ndërkombëtarë për qetësimin e situatës në veri ka qenë shumë e thjeshtë.
“Nuk reduktohet aleanca në banalitet. Aleancat dhe orientimi euro-altantik nuk është vetëm deklarim vleror, ka një varg veprimesh, hapash, detyrimesh të dyanshme që marrin palët, ka një varg kriteresh të cilat duhet të përmbushen. Eshtë raport kontraktual, ti merr detyrime dhe zbaton obligime.Kur kërkohet diçka me kaq shumë ngulm dhe nuk po na e kërkojnë të pamundurën, kërkesa ka qenë shumë e thjeshtë. Dy kryetarët tanë në veri nuk janë më pak kryetarë për shkak se po e ushtrojnë detyrën nga zyrat alternative, ata janë po aq pak kryetarë për shkak të mungesës së legjitimitetit të plotë qytetar, gjerat duhet të thuhen ashtu siç janë” tha Çitaku në Blic Interview.
Çitaku tutje tha se kryeministri Kurti ka prodhuar cikle të vazhdueshme krizash prej ditës së parë që ka ardhur në pushtet.
“Amerikanët i kanë patur gjërat e qarta vazhdimisht nuk është se ka ndonjë befasi këtu për Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Nuk ka asnjë lloj befasie për SHBA-të se kush është Vuçiqi mirëpo një gjë duhet ta kemi të qartë, nuk krahasohet investimi amerikan në Kosovë me investimin amerikan në Serbi.Eshtë kredibiliteti i SHBA-ve në pyetje. Kam qenë prezente në shumë situata kur institucionet e Kosovës kanë marrë ndonjë veprim i cili nuk është pëlqyer apo përkrahur nga aleatët tanë. Jo vetëm vendet jo-njohëse por edhe vendet njohëse para se të vijnë dhe të bëjnë demarshe dhe ankohen tek ne, ata shkojnë dhe ankohen tek SHBA-të “ju na keni thënë me e njohtë, ja çfarë keni krijuar”. Kështu që duhet të kuptohet edhe zemërimi i SHBA-ve me mënyrën se si i është qasur kryeministri Kurti dialogut në vazhdimësi. Kryeministri në vazhdimësi ka reduktuar edhe ambiciet e Kosovës edhe idenë e sovranitetit, nga një marrëveshje gjithpërfshirëse me njohjen reciproke në qendër, për shkak të qasjes aventureske dhe joprefesionale, kemi përfundu në një marrëveshje e cila as nuk është finale, as gjithpërfshirëse dhe as nuk e ka njohjen reciproke në qendër, pse? Sepse në momentin kur Escobar na i kërkoi 10 muaj për arritjen e marrëveshjes ne e reduktuam idenë e sovranitetit në targa. Pra cikle të vazhdueshme të krizave, kryeministri ka prodhuar prej ditës së parë që ka ardhë në pushtet. Ai edhe nesër mund t’i pranojë tri kërkesat e BE-së dhe SHBA-ve dhe unë shpresoj që ai t’i pranojë mirëpo dëmi i pariparueshëm Kosovës tashmë i është bërë ” tha Çitaku në Blic Interview me Astrit Gashin