Ambasada e Francës në Kosovë ka thënë se nuk është konsultuar dhe as informuar nga Qeveria e Kosovës për vendimin për shpalljen e organizatave “Mbrojtja Civile” dhe “Brigada e veriut” si organizata terroriste.
Në një përgjigje për Klankosova.tv kjo ambasadë ka ripërsëritur planin trepikësh të Bashkimit Evropian për qetësimin e situatës në veri të Kosovës.
“Ne as nuk jemi konsultuar dhe as nuk jemi informuar paraprakisht për vendimin e qeverisë së Kosovës për shpalljen e organizatave ‘Mbrojtja Civile’ dhe ‘Brigada e veriut’ si organizata terroriste”, thuhet në përgjigjen ambasadës franceze.
Tutje, kjo ambasadë ka theksuar nevojën për organizimin sa më të shpejtë të zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të Kosovës.
“Rikujtojmë pritshmërinë e Bashkimit Evropian dhe shteteve anëtare të saj në lidhje me Qeverinë e Kosovës me qëllim të de-eskalimit të situatës në veri të Kosovës”.
– Tërheqja e forcave speciale nga afërsia e objekteve komunale;
– Ushtrimi i funksioneve nga kryetarët e komunave në objekte alternative;
– Organizimi sa më i shpejtë i zgjedhjeve të reja në katër komunat e veriut të Kosovës.
– Rifillimi i dialogut me synim normalizimin dhe në veçanti përparimin lidhur me asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kujtojmë se sot gjatë ditës edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë thënë se Qeveria e Kosovës e ka marrë këtë vendim pa u koordinuar me aleatët e saj.
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës për shpalljen e këtyre grupeve si organizata terroriste nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë. Ky vendim është dashur të koordinohet me partnerët më të afërt ndërkombëtarë të Kosovës, përfshirë ata që kanë përgjegjësinë kryesore për sigurimin e stabilitetit të Kosovës”, ka theksuar zëdhënësi i Departamentit të Shtetit Amerikan, në pyetjet dërguar nga Klankosova.tv.
Ngjashëm është përgjigjur edhe Ambasada e Gjermanisë në Kosovë. Madje thuhet se as Ambasada gjermane nuk është informuar për këtë veprim të qeverisë paraprakisht.
“Është e rëndësishme që çdo vendim i këtij lloji duhet të respektojë ligjet përkatëse dhe parimin e proporcionalitetit. Ritheksojmë thirrjen tonë për Qeverinë e Kosovës që të përmbahet nga çdo veprim i njëanshëm që mund të përshkallëzojë më tej situatën në komunat veriore”, ka theksuar Zyra për Shtyp e Ambasadës së Gjermanisë në Prishtinë.
Derisa faktori ndërkombëtar është duke bërë thirrje vazhdimisht që të qetësohet situata në veri të Kosovës në mënyrë që të krijohen kushtet për shpallje të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në katër komunat me shumicë serbe, Qeveria Kurti insiston se fillimisht është e rëndësishme të arrestohen personat e përfshirë në sulmet ndaj ushtarëve të KFOR-it, pjesëtarëve të Policisë së Kosovës dhe gazetarëve në protestat 29 majit