Tre ditë më parë (26 qershor), tre policët e kidnapuar nga policia e Serbisë u liruan, ata do të mbrohen në liri. Por, askush nuk ka dhënë përgjigje se çka ndodhi e kur do të kthehen armët e tyre në Kosovë. Përgjigje nuk kanë dhënë as nga Policia e Kosovës e as nga qeveria e Serbisë.
Nga pamjet e publikuar u pa që policëve kosovarë iu kishin konfiskuar armë të gjata, të tipit AK47, Glock 19, turbi, radio lidhje, bateri të natës e pajisje të GPS-sit.
Gazeta, ka kërkuar përgjigje nga Policia e Kosovës për të parë nëse kanë bërë kërkesën që armët të rikthehen. Pyetjet janë përcjellur edhe qeverinë e Serbisë, por të njëjtit nuk kanë dhënë ndonjë sqarim.
Për kthimin e tyre në Kosovë nuk mund të bëhet asgjë, thotë eksperti i sigurisë, Drizan Shala.
Shala madje përmend edhe një rast kur pajisjet e Policisë së Kosovës ishin mbajtur në Serbi për mbi 10 vite.
“Në vitin 2012 ku ka ndodhur përherë të parë rrëmbimi i zyrtareve policore në drejtim të pikës kufitare në Merdar , ku pas lirimit të zyrtareve policore nga burgi i Serbisë pajisjet e tyre janë mbajtur mbi 10 vite në pronësi të sistemit juridik penal të Serbisë për të dëshmuar dhe përçuar mesazhe edhe politike në drejtim të institucioneve të RKS”, ka thënë ai.
Lirohen tre policët që ishin kidnapuar nga policia serbe
Sipas tij, Serbia do të luaj “lojë” me Kosovën duke i përdorur këto armë edhe në procesin gjyqësor kundrejt tyre.
“Në anën tjetër mund të thuhet që tani procesi gjyqësor në të cilën janë tre zyrtaret policore të kidnapuar nga pala serbe, Kosova nuk mund të bëjë asgjë sa i përket pajisjeve të tyre që ata i kanë pasur në ditën kritike pavarësisht që janë pajisje që i përkasin institucionit të sigurisë të Kosovës, pra vërehet tendenca që edhe me këto pajisje do të luhet loja e njëjtë duke i mbajtur në pronësi të tyre duke argumentuar që duhet kryer i gjithë procesi gjyqësor në Serbi”, deklaron Shala për Insajderin.
Duke folur për armët që iu morën zyrtarëve policorë, eksperti i sigurisë ka theksuar se “…pra mund të nxirret përfundimi që GPS tregon lokacionin e saktë dhe zyrtarët e Policisë së Kosovës, nuk e kanë kaluar vijën kufitare ne territorin e Serbisë në asnjë forme sepse këta zyrtar kanë vepruar më vite të tëra në këtë pjesë dhe e njohin edhe në baze të hartave se deri ku mund të lëvizin”.
Shala vlerëson që për rikthimin e armëve duhet të ndërhyjë faktori ndërkombëtar.
“…duhet që faktori ndërkombëtar si shenjë mbështetje për institucionin e sigurisë se Kosovës të intervenoj në nivelin diplomatik që pajisjet të kthehen në Kosovë”, pohoi ai.
Policët e kidnapuar do të mbrohen në liri
Paraditen e së hënës, Gjykata në Kralevë vendosi për lirimin e tre policëve kosovar, Rifat Zeka, Beqir Sefini dhe Shemsi Mustafa.
Lajmin për lirimin e tyre për Insajderin, fillimisht e konfirmoi njëri prej familjarëve të tyre, ndërkohë foli edhe avokati i tyre Gradimir Naliq.
Vendimi i Gjykatës në Kralevë për lirimin e tre policëve
Naliq tha se aktakuza kundër tyre u konfirmua, por që ata do të mbrohen në liri.
Prokuroria e Serbisë i akuzon tre policët e Kosovës, Rifat Zeka, Beqir Sefi dhe Shemsi Mustafën për veprën penale, “prodhim, posedim, mbajtje dhe trafikim të paligjshëm të armëve dhe lëndëve shpërthyese”.
Sipas ligjeve të Serbisë, për një akuzë të tillë mund të shqiptohet dënimi me burg deri në 12 vjet.
“U ngrit aktakuza”, flet avokati i tre policëve kosovarë pas lirimit nga paraburgimi
Kurti: Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi
Pas lirimit të tre policëve reagoi Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Kurti ka thënë se edhe pse janë të gëzuar që po kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut dhe duhet të qortohet.
Ka shtuar se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi.
“Edhe pse jemi të gëzuar që ata kthehen në familjet e tyre, ky rrëmbim konsiston në një shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut dhe duhet qortuar. Agresioni serb duhet të mbajë përgjegjësi”, ka shkruar ai.
Osmani falënderoi Amerikën për lirimin e policëve
Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, e ka falënderuar ShBA-të për lirimin e tre policëve kosovarë që ishin rrëmbyer nga Serbia.
Ajo falenderimin e bëri në konferencën për media me Guvernatoren e Iowas, Kim Reynolds.
“Më lejoni të shpreh falënderimet për gjithë punën që ka bërë ShBA-ja për lirimin e tre policëve të Kosovës të cilët po mbaheshin të kidnapuar. Uroj që policët të përballojnë këtë situatë të rëndë dhe të rikuperohen nga kjo ngjarje tragjike për të gjithë popullin e Kosovës”, deklaronte presidentja.
SHBA-ja refuzon të tregojë se kush është meritor për lirimin e tre policëve kosovarë
Përkundër falënderimit të presidentes Osmani, zëdhënësi i Departamentit të Shtetit të Amerikës, Matthew Miller, nuk ka dashur të komentojë mbi atë se kush është meritor për lirimin e tre policëve të kidnapuar të Kosovës nga Serbia,.
Duke e mirëpritur lirimin e policëve, Milleri në një konferencë për media, ka thënë se sukseset kanë shumë meritorë.
“Nuk do të futem në pozitë të flasë për ish-zyrtarët, kam mjaftueshëm punë. Do të flasë për qeverinë e SHBA-së, kemi bërë thirrje për lirimin e policëve. Jemi të kënaqur që kemi parë lirimin e tyre. Siç thuhet suksesi ka mijëra baballarë. E cilado ishte arsyeja për t’i liruar policët, jemi të lumtur që ka ndodhur”, ka thënë ai.
Policët u rrëmbyen nga policia serbe me 14 qershor. Kryeministri Kurti ka deklaronte se policët kufitarë u rrëmbyen brenda kufijve të Kosovës, derisa po kryenin punën e tyre. Nga ana tjetër presidenti serb, Aleksandër Vuçiq thoshte se policët u “arrestuan” 1.8 kilometra larg kufirit, sipas tij në territorin serb.