Gjatë ditës së djeshme, në Komitetin e Parlamentit Evropian për Punët e Jashtme, emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, është përballur me një pjesë të eurodeputetëve në lidhje me situatën mes vendit tonë dhe Serbisë.
Disa nga ta qenë mjaft të ashpër ndaj tij, duke e konsideruar si të anshëm ndaj Serbisë. Ata i thanë Lajçakut se i bëri që ta mbrojnë agresorin, në këtë rast Serbinë, e ta sulmojnë viktimën, në këtë rast Kosovën.
Në mesin e tyre ishin Tonino Picula, Thijs Reuten, Thomas Waitz, Romeo Franz dhe Michael Gahler.
Eurodeputeti gjerman, pjesë e Grupit të Partisë Popullore Evropiane (EPP), Gahler, i tha Lajçakut se që nga marrja e kësaj pozite, ai është rreshtuar më shumë me agresorin e jo me viktimën.
“Duke i përcjellë aktivitetet tua që kur e ke marrë funksionin, shoh se rreshtoheni më shumë me agresorin e jo me viktimën, në raportin mes Kosovës dhe Serbisë. Apo e ndjeni besimin e serbëve dhe kosovarëve? Të gjithë i dimë veprimet e Serbisë dhe liderëve të Serbisë: David iu referua targave të veturave, tërheqjes së policëve nga zyrat dhe funksionet publiket, mospjesëmarrja në zgjedhje, koordinimi i politikës së jashtme me Rusinë, rreshtimi me kriminelë të dënuar të luftës, premtime të shkelura, mos-nënshkrim të marrëveshjeve të pretenduara, mos-pjesëmarrje në takimet e dialogut tuaj, e të tjera. Krejt kjo kontribuon në një opinion publik në Kosovë që ata thonë, jo, nuk dëshirojmë asnjë koncesion, edhe nëse na njohin”, i tha Gahleri Lajçakut.