Myftiu i Kosovës, Naim Tërnava, në mesazhin e ditës së Kurban Bajramit ka bërë thirrje për paqe, siguri dhe harmoni brenda familjes dhe shtetit në përgjithësi.
Pjesë e mesazhit të tij ka qenë siguria në vend, më saktë situata në pjesën veriore të vendit.
Ai apeloi Qeverinë e Kosovës dhe bashkësinë ndërkombëtare që të angazhohen edhe më shumë në shtensionim të situatës, përmes dialogut.
“Gjendja e sigurisë në vendin tonë nuk është e qëndrueshme sa dhe si duhet. Tash e sa muaj në veri kemi tensionim të gjendjes. Qeveria dhe institucionet ndërkombëtare duhet të kontribuojnë edhe më shumë, në të gjitha mundësitë e tyre në shtensionim të situatës dhe uljen e tensioneve. Të gjitha problemet duhet të zgjidhen përmes dialogut, larg nga përdorimi i dhunës…”, është shprehur Tërnava.
“Kosova ka kufijtë e vet, ka sovranitetin e vet dhe Kushtetutën që duhet respektuar në çdo anë që të çojmë në vend amanetin e dëshmorëve. Lutemi në këtë ditë feste, që në Kosovë të mbretërojë paqja, siguria, toleranca, siguria, respekti dhe qetësia”.
Myftiu Tërnava tha po ashtu se harmonia brenda familjes është thelbi i një shoqërie të shëndoshë, derisa ka shtuar se qëllimi i prerjes së kurbanit është afrimi edhe më i madh tek Zoti.