Kryeministri Rama nuk do të mjaftohet vetëm me letrën e fundit drejtuar Presidentit francez dhe Kancelarit Gjerman për të gjetur një zgjidhje emergjente për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Kërkesa e tij nuk ka shkuar vetëm në zyrat e Macron dhe Scholz, por ai ka vënë në dijeni edhe Presidentin e Këshillit të Bashkimit Europian Charles Michel. Me këtë të fundit do të zhvillojë edhe një bisedë ballë për ballë në Bruksel ditën e hënë.
Nevoja për të ulur në tryezë Kurtin dhe Vuçic me praninë e kumbarëve të planit franko-gjerman, pa ju lënë dy liderëve të Prishtinës dhe Beogradit asnjë mundësi tjetër përveçse dialogut dhe normalizimit të marrëdhënieve, do të jetë tema mes Edi Ramës dhe Charles Michel.
Në të njëjtën ditë Kosova dhe Serbia do të diskutohet edhe në takimin e Ministrave të Jashtëm që do të mbahet në Luksemburg. Përfaqësuesi i lartë i BE Joseph Borrel do të raportojë për situatën ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit si dhe rrugën që do të ndiqet në ditët në vijim.
Pas takimit me Ramën, më 27 qershor Charles Michel do të zhvillojë videokonferencë me krerët e shteteve të familjes europiane, komunikim që do të pasoje me mbajtjen e takimit të radhës të Këshillit Europian. Edhe në samitin e liderëve të Europës do të trajtohen tensionet ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Pritet që BE të dalë edhe më përfundime përsa i përket qasjes së unionit ndaj këtyre dy shteteve në Ballkan që nuk po binden ende nga BE dhe SHBA për të pranuar marrëveshjen e vënë në tryezë.