Evidentimi ditor i rasteve të reja të dhunës në familje, për fat të keq është shndërruar në një rutinë të pandashme, pasi që çdo ditë e më shumë raportohen me dhjetëra raste të dhunës në familje.
Tragjeditë familjare, dyshimet për tradhti, abuzimi me alkoolin e bixhozin dhe xhelozia bëhen shpesh shkaktarë të dhunës që përjetojnë gratë në Kosovë nga partnerët e tyre.
Burimet e Gazetës Sinjali brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se një rast i tillë ka ndodhur në një familje në Fushë Kosovë, ku burri dyshohet se ka rrahur brutalisht bashkëshorten e tij.
E gjithë ngjarja dyshohet të ketë ndodhur shkaku i një fotoje ku shiheshin pjesët intime të një gruaje, e të cilën burri dyshoi se është 27-vjeçarja. Sipas tij, kjo e fundit ia ka dërguar atë fotografi shokut të tij, ani pse kjo ishte mohuar nga personi në fjalë.
I dyshuari më pas e ka sulmuar fizikisht viktimën duke e goditur me grushte në kokë e shqelma, gjatë kohës që në dorë ajo kishte fëmijën e tyre 2-vjeçar.
Gjatë dhënies së dëshmisë para hetuesve policorë, viktima ka thënë se e kupton xhelozinë e bashkëshortit të saj dhe nuk dëshiron ai të shkojë në burg, por dëshiron t’ia falë për hir të fëmijëve.
Viktima së bashku me fëmijët janë dërguar te prindërit e saj, ndërsa i dyshuari me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.