Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas deklaratës së Josep Borrell në përfundim të takimeve që pati ndaras me Albin Kurtin dhe Aleksandër Vuçiq.
Në një postim të bërë në Twitter, Rama shkruan se pa u liruar 3 policët e Kosovës që po mbahen të arrestuar në Serbi, nuk do të ketë asnjë përparim të vërtetë.
“Pa tre djemtë që largohen shëndoshë e mirë nga Serbia, nuk ka hapësirë për të bërë asnjë centimetër përparim të vërtetë! Sapo të kthehen në shtëpi, nevojitet një veprim i ri i fortë i Francës dhe Gjermanisë për të ndaluar këtë spirale absurditeti! POR Gjëja e parë:
Lironi 3 policët!”- shkruan Rama.
Përfaqësuesi i lartë i BE-së, Josep Borrell ka thënë se në takimet që i ka pasur sot me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiqin, janë pajtuar se duhet të ketë zgjedhje të hershme në katër komunat veriore të Kosovës.
Borrell ka shtuar se në takimin me Kurtin, ka ritheksuar kërkesën që kryetarët shqiptarë të zgjedhur në komunat serbe, të punojnë nga ndërtesa alternative.
Në lidhje me arrestimet e disa serbëve në Kosovë pas protestave të fundit në veri, Borell po ashtu tha se “nuk mund të ketë mosndëshkim për autorët e dhunës”.
Megjithatë, ai theksoi se “arrestimi ose keqtrajtimi arbitrar i padrejtë i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm”.
Gjithashtu, Borrell deklaroi t’i ketë thënë Vuçiqit se tre policët e Kosovës që po mbahen në paraburgim në Serbi “duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte”.
“Mendoj se kemi identifikuar rrugë të mundshme përpara por të dy palët duhet t’i përmbahen detyrimeve të tyre”, tha ai.