Shefi i politikës së jashtme të BE-së, Josep Borrell, pas takimeve me kryeministrin Albin Kurti dhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka folur para mediave.
Ai tha se në këto takime, që kanë zgjatur më shumë se katër orë, është diskutuar se si të shkohet përpara.
Ndër të tjera, ai tha se Vuçiqit i ka thënë që t’i lirojë menjëherë dhe pa kushte tre policët kosovarë, kurse për, siç tha ai, pretendimet për keqtrajtim ndaj të burgosurve serbë në Kosovë, Borrelli tha se me këtë çështje do të merret EULEX-i.
“Biseduam edhe për arrestimet. Theksova se arrestimet arbitrare ose të paligjshme apo keqtrajtimi i të burgosurve është krejtësisht i papranueshëm. EULEX-i do të luajë rol të fuqishëm në monitorimin e këtij konteksti. I theksova presidentit Vuçiq që tre policët kosovarë që po mbahen në Serbi, duhet të lirohen menjëherë dhe pa kushte. Dhe duke e përmbledhur, mendoj se i kemi gjetur mënyrat e mundshme për të ecur përpara, por të dy palët duhet të tregojnë rezultate në përkushtimet e tyre, në veçanti për Kosovën rreth disa pretendimeve për trajtimin e të burgosurve dhe arsyet për disa arrestime, dhe kërkova për hetime të plota dhe vlerësime të këtyre situatave, dhe për të marrë masa të duhura”, deklaroi Borrelli.
Në fund, ai tha se emisari i BE-së, Miroslav Lajçak dhe vetë ai do të jenë në kontakt të afërt me palët në ditët në vijim, ndërsa potencoi se të hënën ai do të raportojë para ministrave “se ku jemi dhe ku duhet të shkojmë”.