Të martën Federata e Futbollit të Kosovës ka shkarkuar nga detyra selektorin e Përfaqësues A, Alain Giresse.
Tekniku francez është shkarkuar pas rezultateve të dobëta në kualifikimet për Kampionatin Evropian dhe humbjes turpëruese nga Bjellorusia.
Ish-sekretari i FFK-së, Eroll Salihu, ka thënë se edhe ish-Kryetari i Federatës, Fadil Vokrri ishte kundër emërimit të Giresse si trajner i Kosovës.
“Edhe Fadil Vokrri, kemi pas kontakte me këtë trajner, e kemi luajtur një ndeshje miqësore, është bërë presion për shkak të emrit. Fadil Vokrri, kishte thënë se nuk është personi i duhur për trajner të Kosovës”, ka thënë ai në emisionin Debat Plus.
Salihu gjithashtu ka deklaruar se emërimi i Giresse në krye të Përfaqësueses së Kosovës është bërë kokë në vete nga Agim Ademi.
“Është parë qysh në fillim se zgjedhja nuk ka qenë fatlume, unë kam qenë atë kohë aty, kur ka filluar edhe e ka zgjedhur kokë më vete, kryetari Agim Ademi. Ai konsultohet kishe me kryesin, por unë e di pak më ndryshe situatën. Nuk mund të themi se faji është vetëm i tij. Për fat të keq kjo sagë po vazhdon pasi humbjet janë të mëdha për futbollin e Kosovës”, ka shtuar Salihu.