Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, është takuar me analistin amerikan, Edward P. Joseph.
“Takim dhe bisedë shumë miqësore dhe informuese me Edward P. Joseph nga SHBA, analist me përvojë të gjatë i politikës së jashtme dhe ekspert me përvojë për Ballkan. Perspektiva e tij për zhvillimet aktuale në rajon është interesante”, ka shkruar Hoti.
“Ia dhashë vlerësimet e mia se: Kosova gjithmonë ka zhvilluar dialog dhe është dakorduar me aleatët për hapat e nevojshëm, gjithmonë në funksion të integrimit euro-atlantik; Kosova ka bërë progres në të kaluarën vetëm për shkak se ka bërë politikë të mençur e të koordinuar me aleatët, për dallim nga Serbia; Kosova nuk ka rrugë tjetër përveç integrimit euro-atlantik dhe as nuk dëshiron të ndjekë rrugë tjetër; Në Kosovë nuk ka vend për një Qeveri që sanksionohet nga aleatët euro-atlantik, ngase Kosova ka relacione ekzistenciale me perëndimin, e jo vetëm diplomatike”.