I dërguari amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar në Këshillin Atlantik së bashku me të dërguarin evropian Miroslav Lajçak, tha të martën se situata në veri të Kosovës ka potencial të shndërrohet në konflikt rajonal.
“Jam shumë i shqetësuar, kjo situatë ka potencialin të shndërrohet në një konflikt rajonal dhe konfrontim rajonal dhe kjo është arsyeja përse ne po i mbështesim kaq fort përpjekjet evropiane”. Kjo duhet të jetë përpjekje evropiane sepse të dy vendet janë në Evropë, aspirata më e lartë e tyre është integrimi në Bashkimin Evropian. Gjithashtu si mbështetësit më të mëdhenj të Kosovës, do të donim ta shihnim atë pjesë të NATO-s dhe Bashkimit Evropian, kështu që ne duam një proces që ulë shqetësimet e pesë vendeve mosnjohëse dhe ky duhet të jetë proces evropian, por kjo nuk do të thotë se ne qëndrojmë pasiv”, tha Escobar.
Por menjëherë pas kësaj paraqitje të drejtpërdrejt të të dy emisarëve, kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka mbajtur një konferencë për media ku nga gazetarët është pyetur edhe në lidhje me këtë deklaratë.
Kurti tha se nëse emisari amerikan Gabriel Escobar do të kishte të drejtë në ato deklarata, atëherë adresa është Beogradi.
“Së pari se kah mund të shkojë kriza në veri të Kosovës nëse nuk deeskalon, unë nuk mund ta di sot, por unë e di që eskalimi është pasojë e drejtpërdrejt e përzierjes së Beogradit në punë të brendshme të Kosovës…prandaj nëse ka të drejt emisari amerikan Escobar, atëherë adresa ku do të duhej të merremi në mënyrë që nga veriu i Kosovës të mos kemi konflikt rajonal është me siguri Beogradi”, tha Kurti.
Megjithatë kryeministri në një tjetër përgjigje për këtë çështje, në të njëjtën konferencë, tha se ‘nuk e beson që mund të ketë konflikt rajonal”, por se këtë pyetje duhet drejtuar emisarit amerikan.
“Konflikt rajonal ka më shumë se dy shtete.. tash cilat shtete të tjera mendoni përveç Kosovës dhe Serbisë besoni se do të përfshihen meqenëse thoni se do të jetë rajonal. Mali i Zi s’ma merr mendja, Maqedonia e Veriut, s’besoj , kryeministri Rama e ka kërcënuar Beogradin, duhet ta pyesni emisarin amerikan për cilat shtete e ka pasur fjalën”. tha Kurti.
Emisari amerikan Gabriel Escobar të martën u bëri thirrje edhe njëherë Kosovës dhe Serbisë të punojnë për shtensionimin e gjendjes dhe t’i kthehen dialogut të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.