Miroslav Lajcak, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, është shprehur shumë i brengosur për situatën aktuale të tensionuar në veri të Kosovës, shkruan Gazeta Metro.
Për tensionet në veri të vendit, ai ka thënë se është një situatë kritike, dhe se për të njëjtën duhet të diskutohen hapat e ardhshëm.
I dërguari special i BE’së, është shprehur se unioni europian do që njerëzit të largohen nga rrugët dhe që të dy palët, pra Kosova dhe Serbia, të kthehen në dialog.
“Situata është kritike dhe ne duhet të diskutojmë hapat e ardhshëm. Situata është shume e tensionuar dhe unë jam i brengosur nuk mund ta fsheh këtë. Ne duam që njerëzit të largohen nga rrugët, të rikthehemi në dialog dhe të kemi zgjedhje të reja me pjesëmarrjen e serbëve pa kushte”, është deklaruar Lajcak.
Ai ka komentuar edhe çështjen e zgjedhjeve në komunat veriore të Kosovës, duke thënë se BE’ja kërkon që ato të mbahen menjëherë.
“S’ka afat për zgjedhjet. Gjithçka varet nga vullneti politik. Por ne bëjmë thirrje që të mbahen menjëherë. Ka procedura kushtetuese qe duhet të ndiqen qe kryetarët të dorëhiqen, askush nuk dëshiron të shtyjë një zgjidhje jashtë kornizës kushtetuese të Kosovës. Por deri tani s’kemi parë vullnet politik për zgjedhje të parakohshme”, ka thënë Lajcak.