Komandanti i KFOR-it në Kosovës, Angelo Michele Ristuccia, ka thënë se për de-përshkallëzimin e tensioneve në veri nuk mund të ketë zgjidhje ushtarake.
Duke folur për transmetuesin publik serb, Ristuccia ka thënë se zgjidhja për veriun duhet të jetë politikë, në tavolinën e negociatave.
Ai ka thënë se një ofensivë e gjerë diplomatike është aktivizuar për t’i qetësuar tensionet dhe për ta kthyer normalitetin në veri.
Sipas komandantit të KFOR-it, gjendja në veri mbetet e tensionuar, përkundër qetësisë momentale. Ai ka përmendur shtimin e trupave të KFOR-it në vend, si masë sigurie, pas rivlerësimit të situatës.
Ristuccia ka thënë se Kosova dhe Serbia duhet të ulen në tavolinën e negociatave për t’i tejkaluar të gjitha mosmarrëveshjet që dy shtetet kanë ndërmjet vete.