Rrjeti i OJQ-ve AVONET po vlerëson se vendimi i Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia për mbylljen e lokaleve dhe kufizimi i lëvizjes, është i pamatur dhe i pa analizuar mirë, si dhe përbën shkelje të të drejtave të njeriut.
Kështu thuhet në një reagim të tyre, ku theksohet se duke parë që shumica e kryetarëve të Komunave të Republikës së Kosovës dhe Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës ka qenë kundër mbylljes dhe kufizimit të lëvizjes, Vitia nuk ka marrë për bazë këtë vlerësim të kryetarëve, prandaj kjo tregon se Vitia është ndër ministrat që vazhdon mosrespektimin e mendimeve dhe vlerësimeve nga institucionet lokale.
Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës me datën 4 mars 2021 ka deklaruar se është kundër kufizimit dhe mbylljes.
Ndaj sipas AVONET-it, kufizimi i lëvizjes së qytetarëve nga ora 22:00 deri orën 5:00 të mëngjesit, është njëra prej shkeljeve të rënda të të drejtave të njeriut, e cila është e garantuar me Konventat Ndërkombëtare dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës.AVONET, konsideron se masa e kufizimit, asnjëherë nuk ka sjellë ndonjë efekt, por vetëm sa ka krijuar pasoja si në aspektin ekonomik, ashtu edhe në atë psikik.
Tutje në reagimin e tyre thuhet se AVONET, shpreh shqetësimin se mosmarrja parasysh e shqetësimit të komunitetit të gastronomisë është tejet shqetësues dhe kjo tregon injorancën e vazhdueshme të Vitia lidhur me qasjen e komunikimit me palët dëmtuara.
”AVONET vlerëson Vitia ishte prej personave të parë që nuk kanë respektuar masat anti-COVID dhe po ashtu ai gjatë tërë kohës ka qenë pjesë aktive në tubimet publike, si shumë zyrtarë të tjerë të partive publike.
Rritja e infeksionit nuk është shkaktuar nga mosrespektimi i masave nga qytetarët, por janë vetë partitë politike që kanë rritur numrin e infeksionit si pjesëmarrëse në tubimet publike.
AVONET kërkon nga kryeministri Kurti që të shqyrtojë vendimin e marrë dhe të rrit komunikimin me komunitetin e gastronomëve, si dhe të trajtojë me seriozitet problematikat që ka shfaq virusi Covid -19”.