Gazetari Adriatik Kelmendi i cili deri tani ka shërbyer si drejtor i televizionit Klan Kosova, ka reaguar pas pas tentimit të Qeverisë së Kosovës që t’ia pezullojë licencën këtij mediumi.
Kelmendi përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se nuk ka asgjë shqetësuese sa i përket operimit të televizionit.
Ai ka thënë se janë duke u bërë përpjekje për frikësim, dhe se pushteti po synon ta heshtë median, fjalën e lirë, dhe t’i kapë institucionet.
Kelmendi ka shtuar se ka ndodhur edhe një herë që gjatë punës së tij një pushtet të bëjë përpjekje për ta mbyllur një medium, dhe se ky ishte pushteti i kriminelit serb, Slobodan Millosheviq.
“Ka ndodhur edhe një herë gjatë punës sime si gazetar që një pushtet të bëjë përpjekje për ta mbyllur një media. Ishte viti 1999. Kurse pushteti ishte ai i Milosheviqit. Edhe atëbotë ishte gjetur një pretekst. Dy shkrime të botuara, të cilat në fakt ishin përkthime nga agjencia sebe e lajmeve Beta. Me këto Milosheviqi e çoi në gjyq “Kohën ditore” me synim mbylljen. Pastaj me 24 mars, forcat e tij hynë ne redaksi, e vranë rojën dhe shkatërruan gjithçka. Përkohësisht Milosheviqi e mbylli median, por pas disa javësh vazhduam punën në Tetovë dhe ja ku jemi edhe sot, të githë gazetarët, duke i dhënë profesionit më të mirën, por duke e bërë edhe Kosovën më median më të mirë në rajon.” – u shpreh ai.
Postimi i plotë:
Nuk do t’i lëmë! Nuk do t’ia dalin!
T’i bimë shkurt: Nuk ka asgjë shqetësuese sa i përket operimit të Klan Kosovës. Klan Kosova është medium i Kosovës, me mbi 200 të punësuar qytetarë të Republikës së Kosovës, me nja 100 mijë orë transmetimi të lajmeve dhe programeve të tjera që promovojnë dhe angazhohen për të mirën e Kosovës.
Puna e Klan Kosovës është publike. Në ekran, në radio, në portal, në rrjete sociale.
Dhe, natyrisht, si çdo media e lirë dhe në vend demokratik, Klan Kosova ka edhe qasje kritike ndaj fenomeneve të ndryshme në shtet e shoqëri, pavarësisht kush është në pushtet e kush në opozitë.
Për këtë arsye, Klan Kosova sot është mediumi më i përcjellur në Republikë.
Çka i bjen kjo?
Përpjekje për frikësim.
Nëse këtë ia bëjmë një medie si Klan Kosova, paramendojeni sa çka iu bëjmë të tjerëve.
Shqiptarët kanë derdhur edhe gjak për ta arritur lirinë. Breza gazetarësh kemi luftuar më çdo kusht edhe në kohën e Milosheviqit, edhe të luftës, edhe të UNMIK-ut e edhe të gjitha qeverive ta ruajmë lirinë e pavarësinë. Fjalën e lirë, mendimin e lirë.
Pushtetet gjithnjë mund të gjejnë një pretekst për t’ia mbyllur gojën një gazetari, një medie. Sot thuhet paska qenë një pasaportë diçka, nesër një pyetje e gabuar në konferencë shtypi, pasnesër ngjyra e llogos së ndonjë televizioni.
Një pushtet i cili synon ta heshtë median, fjalën e lirë, kap institucionet për ta çuar misionin deri në fund. Fillimisht me një portal spekulativ udhëhequr nga militantë partiakë, pastaj në organet rregulluese të medias me njerëz që i kanë instaluar aty.
Por ne kemi menduar se jetojmë në demokraci.
Se mbyllja e gojës së medias ndodh vetëm në vende si Rusia e Bjellorusia, Serbia e Koreja e Veriut, jo në Kosovën tonë, jo në popullin të cilit askush asnjëherë nuk ka mundur t’ia mbys idealin për të jetuar të lirë.
E as që do ta mbys dikush, ndonjëherë.
Ka ndodhur edhe një herë gjatë punës sime si gazetar që një pushtet të bëjë përpjekje për ta mbyllur një media. Ishte viti 1999. Kurse pushteti ishte ai i Milosheviqit. Edhe atëbotë ishte gjetur një pretekst. Dy shkrime të botuara, të cilat në fakt ishin përkthime nga agjencia sebe e lajmeve Beta. Me këto Milosheviqi e çoi në gjyq “Kohën ditore” me synim mbylljen. Pastaj me 24 mars, forcat e tij hynë ne redaksi, e vranë rojën dhe shkatërruan gjithçka. Përkohësisht Milosheviqi e mbylli median, por pas disa javësh vazhduam punën në Tetovë dhe ja ku jemi edhe sot, të githë gazetarët, duke i dhënë profesionit më të mirën, por duke e bërë edhe Kosovën më median më të mirë në rajon.
Kisha menduar se ajo kohë nuk do të kthehej asnjëherë më. Kisha menduar se liria kishte ardhur përfundimisht me 12 qershorin e 1999.
Nga dje, kjo arritje e brezave është nën kërcënimin më serioz ndonjëherë. Në Kosovën e e pretenduam të lirë.
Por, gazetarët kosovarë e kanë dhënë provimin. Jo një herë. Shumë herë.
Mjerisht, Kosovës i është dhënë damka më e madhe, se ka pushtete që synojnë të mbyllin media. Si në Rusi e Bjellorusi, si në Serbi e Kore të Veriut.
Nuk do t’i lëmë! Nuk do t’ia dalin!