Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë, ndërsa në konferencë për media kanë folur kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dhe Ministri i Brendshëm, Xhelal Sveçla. E ku nuk janë kursyer ndërkombëtarët dhe as KFOR për heshtjen e tyre ndaj veprimeve të Serbisë, shkruan Gazeta Metro.
Kurti e ka përsëritur edhe njëherë se nuk bëhet fjalë për arrestim por për kidnapim në territorin e Kosovës.
“Me anëtarët e Këshillit të Sigurisë diskutuam për situatën e përgjithshëm të sigurisë, me theks të veçantë katër komunat në veri të vendit në brezin kufitar me Serbinë”, tha ai.
Ai tutje nuk ka kursyer ndërkombëtarët, duke thënë se heshtja e tyre ndaj veprimeve e këtij akti agresor është për t’u habitur.
“Serbia nuk ka ndryshuar në qëllime, motive dhe apetite, nuk është se po na befason me sjelljen e saj, ajo çfarë është e çuditshme është heshtja dhe toleranca e faktorëve ndërkombëtar ndaj veprimeve të Serbisë e cila vazhdimisht kërkon pretekste për eskalim dhe destabilizim, e kur nuk ka është e gatshme që të krijojë ato”, ka thënë Kurti.
Kurti ka thënë se janë shtrënguar kontrollet me Serbinë duke kufizuar qarkullimin.
“Janë shtrënguar kontrollet me Serbinë duke kufizuar qarkullimin. Cenimi i djeshëm i kufirit nga Serbia na detyron të rrisim kontrollet kufitare, që varësisht nga analizat dhe vlerësimet e vazhdueshme të sigurisë mund të përfshijnë edhe ndalesat e qarkullimit në rastet kur vlerësohet që mund të përbejnë rrezik”, shtoi ai.
“Synimi ynë është siguria e cila fillon te kufijtë, kërkojmë lirimin e menjëhershëm të tre zyrtarëve policorë dhe u bëjmë thirrje ndërkombëtareve që të dënojnë këtë akt agresioni të Serbisë dhe të bëjnë trysni mbi Beogradin zyrtar”.