Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Peter Stano, e cilësoi si dështim planin pesë pikësh të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti për të shtensionuar situatën në veri, duke thënë se ky plan nuk adreson në mënyrë adekuate shkaktarët e krizës.
“Gjatë ditëve dhe javëve të kaluara ka pasur kontakte intensive të nivelit të lartë në BE dhe me aleatët tanë dhe me partnerët nga të dyja anët për të gjetur rrugën për të tejkaluar status quo në Kosovë. Ne jemi sërish në një situatë, dhe ngjarjet dje kanë treguar dhe dëshmuar se nuk ka shtendosje dhe se përshkallëzimi po vazhdon. Ne themi se kjo status-quo duhet të tejkalohet dhe duhet të lëvizim nga një menaxhim krizash drejt një procesi të qëndrueshëm dhe qetësia duhet të vendoset në veriun e Kosovës. Por përkundër thirrjeve të vazhdueshme kryeministri Kurti deri tani ka dështuar që të ndërmarr veprime vendimtare dhe aksione për të shtendosur situatën. Plani I tij prej 5pikash në letrën dërguar Përfaqësuesit të Lartë dështon që të adresojë në mënyrë adekuate disa elemente që kanë nxitur dhe janë shkaktar rrënjësor të kësaj krize dhe për të cilat ne presim që ai t’i adresojë me urgjencë dhe me masa vendimtare. “, tha Stano.
Stano: Nuk ka sanksione për Kosovën
Zëdhënësi i Komisionit Evropian Peter Stano tha se nuk ka sanksione për Kosovën. Por, ai shtoi se nëse nuk ka shtensionim të menjëhershm të situatës, atëherë do të ketë pasoja në marrëdhëniet e Kosovës me Bashkimin Evropain.
“Më lejoni ta qartësoj një gjë: nuk ka sanksione. BE-ja vendos sanksione si masa kufizuese bazuar në kornizën ligjore të përcaktuar nga vendet anëtare pas një procesi të gjatë të diskutimeve në Këshill. Pra nuk ka sanksione ndaj Kosovës. E dyta është se, pas përshkallëzimeve të fundit, për të cilat ishim dëshmitarë, që nga fillimi I muajit, BE-ja dhe 27 vendet anëtare të BE-së njëzëri ka thënë se pret, shumë qartë dhe ishte një kërkesë e qartë, për Kosovën dhe Serbinë që të shtendosin tensionet e fundit. Posaçërisht në pjesën veriore të Kosovës të shkaktuara nga dhuna dhe zbatimit të rezultateve të zgjedhjeve në katër komunat. Dhe e kemi thënë qartë: nëse nuk ka një shtendosje të menjëhershme atëherë do të ketë pasoja. Dhe do të ketë pasoja në marrëdhëniet tona. “, tha Stano.