Ylli argjentinas, Lionel Messi, edhe një herë e ka bërë të ditur se nuk do të luajë në Kupën e Botës 2026, me daljet e fundit të tij në një Botëror që ishte në 2022 kur triumfoi në Katar.
Shtatë herë fituesi i Topit të Artë, Messi frymëzoi Kombëtaren e Argjentinës drejt lavdisë në Katar, me disa paraqitje të jashtëzakonshme. 35-vjeçari kishte sugjeruar që do të shkonte në atë turne dhe se nuk do të kthehej për një tjetër dhe ai tani e ka përsëritur këtë qëndrim pasi zbuloi se së shpejti do të shkojë në Amerikë në nivel klubesh për ta nënshkruar marrëveshjen me skuadrën nga MLS, Inter Miami.
I pyetur nga gazeta kineze Titan Sports nëse ai pret të zgjasë karrierën e tij ndërkombëtare deri në finalet e Kupës së Botës në vitin 2026, që do të bashkëorganizohen nga Shtetet e Bashkuara, Kanadaja dhe Meksika, Messi tha: “Unë mendoj jo. Ky ishte Botërori im i fundit. Do të shoh si do të shkojnë gjërat, por jo në parim, nuk do të luaj në Botërorin e ardhshëm”.