Një 28-vjeçar shqiptar akuzohet për vrasjen e një 34-vjeçar italian të identifikuar si Giuseppe Tucci në Rimini, Itali.
Sipas raportimeve nga mediat italiane, 34-vjeçari është sulmuar në një klub nate në Rimini natën mes së shtunës dhe të dielës nga shqiptari që punonte si “bodyguard” aty.
Raportohet se shqiptari ende i paidentifikuar thuhet se ka goditur 50 herë me grushta italianin i cili pasi u shtrua në spital përfundoi në gjendje kome të cilësuar si të pakthyeshme. Në një kohë të shkurtër mjekët konstatuan vdekjen e trurit të tij dhe pasditen e 12 qershorit ai ndërroi jetë.
Ditën e djeshme autoritetet kishin ndaluar 28-vjeçarin shqiptar me akuzën e plagosjes shumë të rëndë por tani pas vdekjes së italianit akuza do të kalojë në vrasje me dashje. 28-vjeçari prej disa kohësh punonte në sektorin e sigurisë dhe është banues në Fano dhe ka lindur në Itali nga prindër shqiptarë.
Ende nuk është zbardhur plotësisht dinamika e debatit që degjeneroi menjëherë në sherr. Por sipas dëshmitarëve, disa vajza brenda klubit janë ankuar për sjellje ngacmuese të viktimës dhe njëra prej tyre ka qenë e dashura e shqiptarit.
Giuseppe Tucci ishte një zjarrfikës dhe kishte punuar në sektorin zjarrfikësve të aeroportit të Rimini që nga viti 2019.