Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha të shtunën, më 10 qershor, se një kundërsulm ndaj forcave ruse është tashmë duke u zhvilluar por nuk pranoi të jepte ndonjë detaj.
“Veprimet kundërsulmuese dhe mbrojtëse po zhvillohen në Ukrainë: në të cilën fazë nuk do të flas në detaje”, tha Zelensky në një konferencë të përbashkët shtypi në Kiev me kryeministrin kanadez, Justin Trudeau.
Një gazetar i kërkoi Zelenskit të komentonte pasi presidenti rus, Vladimir Putin, pretendoi se kundërofensiva e shumëpritur e Kievit tashmë po dështonte.
“Është interesante se çfarë tha Putin për kundërsulmin tonë. Është e rëndësishme që Rusia ta ndiejë gjithmonë këtë: se nuk ka shumë kohë, për mendimin tim”, tha Zelensky.
Ai shtoi se ishte në kontakt të përditshëm me komandantët ushtarakë, duke përfshirë shefin e forcave të armatosura, Valery Zaluzhny, dhe “të gjithë janë pozitiv tani — thuaja këtë Putinit”, u shpreh Zelensky.
Pushtimi rus i Ukrainës filloi në shkurt të vitit 2022 kur presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, urdhëroi forcat ushtarake ruse që të niseshin drejt Ukrainës.
Që nga ajo koha Ukraina është duke u përballur me pushtimin rus dhe prej javësh është duke u folur për mundësinë e një kundërsulmi të forcave ukrainase.