Profesori amerikan David L. Phillips thotë se nga mënyra se si janë bërë veprimet e fundit në veri të Republikës së Kosovës nga kryeministri Albin Kurti, minohen interesat e Kosovës. Phillips potencon se të dëgjuarit e këshillave amerikane në asnjë mënyrë nuk cenon sovranitetin e Kosovës, derisa shton se deklarimet e fundit të Escobar janë qartazi thirrje që Kurti të jetë më i përgjegjshëm ndaj kërkesave amerikane. Në një intervistë për Express, Phillips thekson se SHBA-ja ka sanksionuar liderë politikë shqiptarë dhe se të njëjtën gjë mund ta bëjnë edhe me kryeministrin Albin Kurti,
Profesori amerikan David L. Phillips i cili drejton programin për të Drejtat dhe Ndërtimin e Paqes në kuadër të Institutit për Studime të të Drejtave të Njeriut në Universitetin e Kolumbias në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në një intervistë për Gazetën Express ka folur për acarimin e raporteve në mes të SHBA-së dhe Kosovës si rezultat i veprimeve të Qeverisë së Kosovës në veri të Republikës së Kosovës.
Phillips thotë se kryeministri Kurti natyrisht se do të duhej t’i dëgjojë këshillat e aleatëve, meqë një gjë e tillë nuk e cenon në asnjë formë sovranitetin e Republikës së Kosovës. Profesori amerikan thotë se politikbërësit në Kosovë e dinë që për të realizuar synimet e Kosovës kanë nevojë për përkrahjen e SHBA-së.
“Natyrisht, dëgjimi i këshillave nuk e cenon në asnjë mënyrë sovranitetin e Kosovës. Aktorët politikë të Kosovës e dinë se kanë nevojë për mbështetjen e Uashingtonit për të realizuar qëllimet e vendit”, ka thënë Phillips për Express.
Ai tutje ka thënë se SHBA-ja gjithmonë ka qenë një përkrahëse e Kosovës dhe ka nxitur edhe shtetet e tjera që të japin mbështetjen e tyre për Kosovën. Phillips thotë se zyrtarët amerikanë asnjëherë s’duhet të lejojnë që raportet me Kosovën të përkeqësohen në një masë të tillë.
“SHBA-ja ka nevojë për Kosovën dhe Kosova ka nevojë për Shtetet e Bashkuara”, thekson Phillips.
I pyetur nëse është duke gabuar kryeministri Albin Kurti në gjithë këtë që po ndodh, Phillips për Gazetën Express ka thënë se veprimet e Kurtit nuk janë gabim, por mënyra se si i ka ndërmarrë veprimet e fundit i minon interesat e Kosovës.
Ai thotë se kërkohet transparencë dhe konsultim më i madh mes aleatëve dhe miqve.
“Veprimet e tij nuk janë gabim, por mënyra se si ai ndërmori veprimet e fundit minon interesat e Kosovës. Kërkohet transparencë dhe konsultim më i madh ndërmjet aleatëve dhe miqve”, ka deklaruar Phillips.
I pyetur nëse është një paralajmërim për një rrëzim të dytë të Kurtit deklarata e Gabriel Escobar se Asociacioni nëse s’bëhet nga kjo Qeveri do të bëhet nga tjetra që do të vijë, Phillips thotë se është qartazi një paralajmërim për Kuritn që të jetë më i përgjegjshëm ndaj kërkesave të Amerikës.
Phillips thotë se Qeveria e Kosovës duke menduar në një mënyrë kreative do të mund të zbatonte një Asociacion pa kompetenca ekzekutive.
“Po, është qartazi një paralajmërim për Kurtin që të jetë më i përgjegjshëm ndaj kërkesave të Uashingtonit. Duke menduar në mënyrë kreative, Qeveria e Kosovës do të mund ta zbatonte Asociacionin pa funksione ekzekutive. Asociacioni është një mënyrë për të decentralizuar pushtetin në rajonet e Kosovës pa cenuar sovranitetin e saj”, ka shtuar për Express profesori amerikan.
Lidhur me raportimet në media se SHBA-ja po shqyrton sanksione ndaj Kosovës dhe ndaj Kurtit personalisht, Phillips thotë se është qartazi një formë e presionit diplomatik, megjithatë thotë se Thesari Amerikan ka zbatuar sanksione ndaj politikanëve tjerë dhe se të njëjtën mund ta bëjë edhe ndaj kryeministrit Albin Kurti.
“Është padyshim një formë presioni diplomatik. Megjithatë, Departamenti i Thesarit ka zbatuar sanksione ndaj politikanëve të tjerë shqiptarë dhe mund të bëjë të njëjtën gjë ndaj Kurtit”, ka përfunduar David L. Phillips.