Daniel Fried, ish-ndihmës i sekretarit amerikan të Shtetit, ka thënë se SHBA-ja nuk ka qenë kurrë kaq e zemëruar me Qeverinë e Kosovës dhe një gjë e tillë është “mjaft shqetësuese”.
Reagimi vjen pas kritikave të ashpra që bëri i dërguari i posaçëm i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në adresë të kryeministrit Kurti, të cilin e fajësoi për mungesë bashkëpunimi në shtensionimin e situatës në veri të Kosovës.
Në një intervistë për REL, ai tha se grindja me amerikanët i dëmton interesat e Kosovës, derisa shtoi se kjo grindje i pëlqen Rusisë, e cila do ta shfrytëzojë këtë.
Radio Evropa e Lirë: Sa përfiton aleatja e Serbisë, Rusia, nga kjo situatë?
Daniel Fried: Shumë. Ky është një lajm i mirë, i mirëpritur për Kremlinin dhe [ministrin e Jashtëm rus, Sergei] Lavrov. Atyre u pëlqen t’i shohin Shtetet e Bashkuara duke u grindur me Kosovën. Do të jenë opurtunistë dhe do ta shfrytëzojnë.
Fried tha se i sugjeron Kurtit të gjejë një mënyrë për të biseduar me Shtetet e Bashkuara pa zhurmë dhe të gjejë një mënyrë për t’u larguar nga ky konfrontim.
Intervista e plotë:
Radio Evropa e Lirë: Zoti Fried,i dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ishte shumë kritik ndaj Qeverisë së Kosovës për situatën e tensionuar në veri të vendit. Ai e kritikoi kryeministrin Albin Kurti për mungesë bashkëpunimi në uljen e tensioneve. Kurti, në anën tjetër, këmbëngul se nuk mund të bëjë kompromise për “republikën demokratike”. Cili është komenti juaj?
Daniel Fried: Është e qartë që Kosova është duke i injoruar shqetësimet e Shteteve të Bashkuara dhe duke vepruar në një mënyrë që ne nuk e inkurajojmë. Unë kurrë nuk e kam parë administratën e SHBA-së kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës, jo në këta 15 vjet që nga shpallja e pavarësisë.
Qeveria amerikane i ka inkurajuar kosovarët që të mos e bëjnë këtë problem në veri dhe kosovarët na kanë injoruar. Dhe, rezultatet janë pikërisht ato për të cilat i kemi paralajmëruar.
Unë nuk kam dyshim në supozimet e mia. Përndryshe nuk mund ta shpjegoj se përse ambasadori amerikan në Prishtinë, Jeffrey Hovenier, dhe Gabriel Escobar do të ishin aq të irrituar. Unë supozoj se ata i kanë arsyet e tyre. Unë supozoj se arsyet e tyre bazohen në injorimin që u bëri Kurti paralajmërimeve të tyre dhe në të konsideruarit e mbështetjes së SHBA-së si të mirëqenë – çfarë ka qenë gabim dhe e habitshme.
Ai [Kurti] e ka bërë presidentin e Serbisë [Aleksandar] Vuçiq të duket empatik. Nuk kam menduar se kjo është e mundur, marrë parasysh se serbët janë burim i problemit, sepse janë ata që refuzojnë ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe refuzojnë ta njohin realitetin se Serbia nuk do ta ketë më kurrë [Kosovën]. Por, pavarësisht kësaj, Kurti ka arritur t’i dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në për asnjë interes që unë mund ta identifikoj. Është mjaft shqetësuese. Unë nuk e kam parë kurrë Qeverinë amerikane kaq të zemëruar me Qeverinë e Kosovës.