Policia e Kosovës ka raportuar se janë sulmuar dy vetura në Zveçan gjatë 24 orëve të fundit, transmeton Gazeta Metro.
Sulmi i parë sipas raportit policor ka ndodhur në ora 10:00
“Zveçan 06.06.2023 – 10:00. Ankuesi mashkull kosovar ka raportuar se derisa ishte duke lëvizur me veturën e tij, dy grupe personash të panjohur, prej tyre disa me maska, e kanë sulmuar me mjete të forta duke i dëmtuar veturën. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raportin e Policisë.
Po ashtu është bërë e ditur se sulmi i dytë ka ndodhur rreth orës 23:30.
“Zveçan 06.06.2023 – 23:30. Dy viktimat meshkuj kosovarë përderisa kanë qenë në veturën e tyre me targa vendore, nga të dyshuar deri më tani të pa njohur janë sulmuar me shkopin bejspolli, shufra metalike, kubëza dhe gurë. Si pasojë e sulmit janë shkaktuar dëme materiale në veturë, nuk raportohet për të lënduar. Lidhur me rastin është informuar edhe prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin”, thuhet në raport.
Në komunat veriore të vendit, Zvecan, Leposaviq dhe Zubin Potok, qytetarët serbë, kryesisht punëtorë të institucioneve, tashmë janë tubuar para ndërtesave komunale.
Ata po protestojnë që nga 26 maji kundër prezencës së Policisë së Kosovës dhe kryetarëve shqiptarë të këtyre komunave, ndërsa numri i tyre si zakonisht në mëngjes është i konsiderueshëm.
Pjesëtarë të KFOR-it dhe të Policisë së Kosovës, ndonëse në numër të vogël, po vazhdojnë të qëndrojnë pranë dhe brenda ndërtesave komunale