Autoritetet izraelite nisën fluturimet e para testuese të të ashtuquajturit taksi-dronë si pjesë e iniciativës së saj për dronët (INDI), me qëllim që në të ardhmen të mundësojë transportin e pasagjerëve dhe ngarkesave me këto fluturake.
Ky pilot-projekt dyvjeçar synon të krijojë një rrjet kombëtar dronësh që do të përdoren për transportin e pasagjerëve, shkruan 24 News izraelit.
Qëllimi kryesor i projektit është të mundësojë transport të shpejtë dhe efikas të pasagjerëve dhe mallrave dhe të reduktojë bllokimet në rrugët në të gjithë Izraelin. Gjithashtu, projekti synon përmirësimin e shërbimeve tregtare dhe të transportit publik
Ministrja e Transportit, Miri Regev, theksoi se kjo është iniciativa e parë e këtij lloji në botë që ka një qasje të gjerë dhe multidisiplinare në testimin e teknologjive të reja, duke përfshirë transportin e mallrave dhe më vonë të njerëzve.
Faza e dytë e projektit të taksive fluturuese të Izraelit filloi në janar dhe përfshinte një investim prej rreth 60 milionë dollarësh në zhvillimin e infrastrukturës së dronëve.