Për dallim prej takimit të mbrëmshëm mes Escobarit e Lajçakut me Kurtin në Prishtinë, takim që zgjati rreth 2 orë, në Beograd dyshja u tregua më e shpejtë.
Siç raportohet, takimi i tyre me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka zgjatur rreth gjysmë ore.
Pas përfundimit, presidenti i Serbisë ka shkruar në profilin e tij në Instagram. Ai ka thënë se shtetet perëndimore që kanë ndikim te Kosova, mund ta detyrojnë të njëjtën që t’i zbatojë marrëveshjet e dakorduara.
“Dua të besoj se pjesa e bashkësisë ndërkombëtare që ka ndikimin më të madh në Prishtinë ka edhe mekanizma që mund të çojnë në realizimin përfundimtar të obligimeve që Prishtina i ka pranuar dhe nënshkruar më shumë se një dekadë më parë”, ka shkruar Vuçiqi, raporton Klankosova.tv.
Ai ndër të tjera tha se “që nga dita e parë, Serbia ka qenë një partner konstruktiv, konsistent dhe i besueshëm në të gjitha proceset që do të çonin në ruajtjen e stabilitetit të të gjithë rajonit”.
“Unë thashë se është koha që Prishtina përfundimisht t’i përmbushë obligimet e saj, e mbi të gjitha formimin e Asociacionit të Komunave (me Shumicë, shën.red.) Serbe në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit”, theksoi Vuçiqi në këtë postim