Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Rusisë, Maria Zaharova, lidhur me deklaratat e të dërguarit të posaçëm për dialogun, Lajçak, tha se krahasimi i marrëveshjes mes Beogradit dhe Prishtinës, me marrëveshjen e Minskut është thelbësisht i gabuar.
“Një krahasim i tillë është thelbësisht i gabuar, sepse ndryshe nga marrëveshjet e Minskut, marrëveshjet e arritura në shkurt-mars ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës janë thjesht verbale”– tha Zaharova, raporton Kosovo Online.
Më herët, Miroslav Lajçak ka deklaruar se marrëveshjet e arritura ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës në fillim të vitit duhet të jenë “udhërrëfyes” për uljen e tensioneve dhe ka shtuar se ato ndryshojnë nga marrëveshjet e Minskut për Ukrainën në atë se BE-ja është e përfshirë në to.
Zaharova theksoi se, sipas saj, problemi nuk është në kokëfortësinë e Beogradit, por në dëmshmërinë e vetë qasjes që injoron interesat kombëtare të Serbisë dhe promovon pavarësinë e Kosovës duke injoruar Rezolutën themelore 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.
Ajo shtoi se përkundër dështimit të dukshëm të ndërmjetësimit të BE-së në dialogun për Kosovën, Brukseli vazhdon të përsërisë se BE-ja është e nevojshme për zgjidhjen e problemeve në rajon, duke “varrosur” në të njëjtën kohë marrëveshjet e Brukselit mes Beogradit dhe Prishtinës nga vitet 2013-2015, vite të cilat sipas saj, zyrtarët evropianë tashmë me zë të lartë po përpiqen t’i harrojnë, sikur të mos ekzistonin kurrë.
‘’Këtu, analogjia me marrëveshjet e Minskut është madje e përshtatshme: në të dyja rastet, dokumentet e nënshkruara nuk ishin të nevojshme që Perëndimi t’i përmbushte ato, por të krijonte një avantazh për njërën nga palët, por si këtu ashtu edhe atje pasojat janë të mjerueshme’’- shtoi Zaharova.