Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka folur sërish rreth çështjes së formimit të Asociacionit të komunave me shumicë serbe, për të cilën ka thënë se, janë në pritje të një drafti nga Kosova.
Escobar ka theksuar se, Kosova tashmë e ka bërë të qartë se çfarë lloji të Asociacionit nuk e do, por se tash, duhet që qeveria të jap ide se çfarë dëshiron.
“Ai përmendet në Marrëveshjen e Brukselit, Konkluzionet e Këshillit Europian dhe Marrëveshjen e Ohrit. Dhe ka gjithashtu një angazhim të SHBA për këtë. Pra, Asociacioni i Komunave Serbe duhet të bëhet. Pyetja është: si do të duket? Nëse Kosova nuk dëshiron një Republikë të re Srpska si Bosnja, duhet të na japë një ide se çfarë dëshiron. Na thanë atë që nuk duan. Tani ata duhet të na thonë se çfarë duan. Ne jemi duke pritur për atë. Kosova duhet të lëvizë menjëherë këtu dhe të na japë një draft-marrëveshje. Sepse Marrëveshja e Ohrit varet shumë nga krijimi i asociacionit të komunave”.
I pyetur rreth qëndrimeve të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, për Asociacionin, Escobar ka deklaruar që, edhe nëse kryeministri nuk do, Asociacioni do të formohet.
“Nuk varet nga ai. Kjo nuk është çështje mes Kurtit dhe Serbisë. Kjo është një çështje ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Edhe nëse nuk do Kurti, ky Asociacion do të bëhet. Pyetja është: a dëshiron Kosova të presë integrimin euroatlantik derisa kryeministri i saj të përmbushë detyrimet e tij ligjore?”, tha Escobar.
Ndërsa për tensionet në veri të Kosovës, ai ka thënë se, cikli i dhunës duhet të thyhet dhe se qeveria nuk duhet t’i detyrojë kryetarët shqiptarë në veri të kalojnë në zyrat komunale.
“Ne duhet të thyejmë ciklin e dhunës. Qeveria e Kosovës nuk duhet t’i detyrojë kryetarët shqiptarë në veri të kalojnë nëpër zyra komunale, të cilat janë kaq simbolike për serbët. Megjithatë, puna administrative duhet të vazhdojë. Udhëheqësia e Serbisë, nga ana tjetër, duhet të dërgojë mesazhin e qartë: Dhuna nuk do të tolerohet – jo kundër forcës paqeruajtëse të KFOR-it dhe jo kundër policisë. Dhe atëherë duhet të kërkojmë një mënyrë për të krijuar besim më të madh – edhe nëse kjo do të thotë zgjedhje të reja për kryetarë komunash”, ka thënë Escobar për Die Presse.