Emri i ish-kryeprokurorit të Gjykatës Speciale në Hagë, Jack Smithit, është bërë tashmë shumë popullor në ShBA për shkak të detyrës që i është besuar për të mbikëqyrur hetimet në rastet kriminale ndaj ish-presidentit Donald Trump. Ndaj tij është vërsulur ashpër vetë ish-presidenti Trump duke e lidhur me të majtën ekstreme, dhe duke e cilësuar si “urryes” të tij. Por, mes konservatorëve që po i mëshojnë Smithit, është edhe ish-emisari special i ShBA-ve për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Në një bisedë të fundit të bërë me Lee Smith, Grenell zbulon detaje nga përpjekja për ta shfuqizuar Gjykatën Speciale që ishte në kuadër të përpjekjeve për të arritur marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë.
Dhe këtu, z. Grenell sjell një emër tjetër: Bruce Schwartzin. Në bazë të asaj që thotë, ishte Bruce Schwarz-i njeriu që i kishte treguar Jack Smithit se mund të shfuqizohej Gjykata Speciale, gjë që e kishte nxitur atë për ta ngritur aktakuzën ndaj Thaçit dhe liderëve tjerë të UÇK-së.
“Jam 100 për qind i sigurt se Bruce Swartzi i tregoi Jack Smithit dhe i tha, Grenelli po negocion që ta heqin punën tënde dhe gjithë gjykatën. Dhe prandaj, ata erdhën me ato akuza.” – tha ai.
29 janar 2020
Më 29 janar 2020, Albin Kurti po provonte ta bënte koalicionin qeveritar me LDK-në e Isa Mustafës. Atë ditë negociatat kishin dështuar. Pak ditë më vonë, megjithatë do të kishte negociata shtesë dhe Kurti do të bëhej kryeministër më 3 shkurt. Por, jo më 29 janar!
Atë ditë, z. Richard Grenell e kishte thirrur për herë të parë Bruce Swartzin, që sipas Grenell ishte kreu i Programit Ndërkombëtar në Departamentin e Drejtësisë në ShBA (Nacionale ka gjetur se ai (mbiemri i të cilit është Swartz, dhe jo Schwartz, ishte këshilltar i këtij Departamenti për Çështje Ndërkombëtare).
“Vendosa të thirrja në Departamentin e Drejtësisë, fola me një burrë të quajtur Bruce Schwartz. Po e marrë telefonin tash dhe do t’jua them ditën e saktë se kur fola me të, sepse ende e kam në ‘voicemail’.”
Ajo ditë ishte 29 janari.
Çka foli Grenelli me Swartzin? Ai po i tregonte se edhe Vuçiqi e edhe Thaçi ishin pajtuar që ta shfuqizonin Gjykatën Speciale.
“”Të dyja palët (Serbia dhe Kosova) duhej të mendonin për këtë gjë, dhe shkuan e e diskutuan, dhe erdhën me ngurrim. Okay, le ta heqim qafe gjykatën ndërkombëtare dhe le ta sjellim në vendet tona (drejtësinë).” – rrëfen z. Grenell.
“E bëra një marrëveshje me të dyja palët.” – vazhdon ai.
“Isha veç ambasador i ShBA-ve në Gjermani…. dhe i thashë Bruce-it, jozyrtarisht, në mënyrë totalisht konficendiale. Dy palët janë pajtuar që të heqin qafe gjykatën ndërkombëtare. E di se duhet ta çojmë këtë gjë në OKB dhe ta bëjmë zyrtare. Dy palët dhe amerikanët kanë marrëveshje për këtë gjë. Kjo është marrëveshje e madhe. Dhe do ta vendosim në marrëveshjen finale.” – shpjegon tutje ai.
Çka i tha Schwarzi i Departamentit të Drejtësisë kur ky ia tregoi ‘planin’?
Oh, jo
“Reagimi i Bruce-it ishte, whoa (shprehje e tronditjes) oh, jo.” – rrëfen z. Grenell. Ai tregon se më pas Bruce Schwartz i kishte thënë se duhej ndoshta t’i tregonin prokurorëve amerikanë që mund ta kishin ndërmend ta ngritnin ose jo ndonjë aktakuzë.
Jack Smithi
Ai e bën me faj pikërisht Jack Smithin për prishjen e planit për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.
Sipas tij, janë dy arsye për një gjë të tillë: 1) ai e urrente Trumpin, dhe suksesin e administratës Trump në dialog dhe 2) ai kishte ambicie shumë të mëdha personale, dhe s’donte të mbeste pa punë.
“Akuza ime është se ai (Jack Smithi) u bë shumë politik sepse e urrente Donald Trumpin. Ai vendosi që do t’i ndalte këto negociata, duke çuar përpara aktpadinë.”
Në një fjali paksa më të elaboruar, ai thotë këto fjalë:
“Brenda javësh, i kishim të dyja palët rrugës për në Washington për të bërë negociatat përfundimtare, dhe kjo pikë do të ishte aty. Dhe çka ndodhi? Derisa Hashim Thaçi, presidenti i Kosovës ishte rrugës duke bërë plane të vinte në Washington DC për t’u takuar me mua në Shtëpinë e Bardhë për negociatat finale – dhe nëse do t’i përfundonim, që ta takonim Trumpin për ta nënshkruar – atij iu lëshua aktakuza nga gjykata.”
Më 24 qershor ishte publikuar njoftimi për akuzën ndaj Thaçit dhe të tjerëve.
Pse të shfuqizohej Specialja?
Por, pse të shfuqizohej Specialja sipas Grenellit?
Sipas tij, ajo nuk ishte treguar efektive për 10-15 vjet (e ka fjalën, ndoshta, edhe për Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë).
“Ishin bërë 15 ose 20 vjet, gjykata në Hagë dukej shumë politike, dhe s’po vinte ma asgjë të re. Prokurorët po i çonin duart…” – thotë ai në arsyetimin e kësaj përpjekjeje.
Pse tash?
Grenell e ka thënë një gjë të tillë edhe më herët – veçse jo në mënyrë kaq të detajuar. Besohet se prokurori special Smith tashmë ka arritur në një fazë kritike të punës së tij në rastet kriminale të ish-presidentit Trump, dhe kjo mund të jetë arsyeja pse ish-ambasadori po prek në këtë çështje kohët e fundit.
Në një pjesë të shkrimit ai përmend edhe fjalët e Edi Ramës kundër Speciales – mungesën e akuzës për trafikim organesh, mungesën e të dhënave specifike në aktakuzë etj. – përfshirë edhe ato ku dyshohet se Rusia mund të ketë bërë dezinformata për Thaçin.
“Pyetja do të ishte, a çuan përpara dezinformata rusët për Hashim Thaçin? Dhe a ra në grackën e tyre Jack Smithi? Mendoj që mediat tona amerikane duhet të fusin hundët më shumë për të kuptuar se cilat janë lidhjet. Akuzat janë eksplozive.”