Shpenzime rreth 500 mijë euro për zgjedhjet të mbajtura në kontenjerë mobilë të improvizuar për zgjedhje të bojkotuara prej 97 për qind të votuesve; fatura e shtrenjtë – e me elemente fatale – diplomatike për vendin; imazhi medial i përçuar anekënd globit i instalimit me aparaturë të tërë forcash policore të tre kryetarëve shqiptarë (me nga 100 vota) me doemos në godinat zyrtare përballë protestave (një ditë brutalisht të dhunshme) nga popullata lokale; ndëshkimet (sanksionet) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës me përjashtimin e FSK-së nga Defender 2023 dhe tërheqja e mbështetjes dhe angazhimit amerikan me shtet mosnjohëse dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare; shtuarja e më shumë se 700 trupave shtesë të KFOR-it (me mandat të Rezolutës 12/44); eksplozion i madh i diskursit anti-amerikan në vend; pasojat “serioze” të paralajmëruara nga BE.
Këto, përmbledhtazi, dhe shkurtimisht, e karakterizojnë tetë ditëshin e fundit, pas nisjes së njësive speciale për të hytë me forcë në godinat komunale në Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan përkundër kërkesës modeste (dhe afirmative) të QUINT’it që kryetarët e rinjë “teknikë” të ushtrojnë detyrat e tyre në ndërtesa “të qasshme” dhe jo me doemos të punojnë nga ndërtesat zyrtare. Raportimet për këtë ngjarje do ta përshkonin globin. Albin Kurti, ia doli sërish ta bëjë Kosovën një nga top pesë lajmet e botës për një kohë të shkurtër, por me pasoja të gjata. Highlight-i i krejt kësaj? Ia kishte vënë në dyshim gjykimin e shëndoshë, përvojën dhe dijen Sekretarit amerikan të Shtetit, Anthony Blinken: i pa drejtë dhe naiv…
Fatura e parë…monetare
Për këto zgjedhje të insistuara u shpenzuan “rreth 500 mijë euro”, tha Komisioni Qendror Zgjedhor në një përgjigje për Nacionalen. “Buxheti i planifikuar për organizimin e zgjedhjeve të 23 prillit ka qenë rreth 500 mijë euro. Në kuadër të këtij planifikimi është llogaritur edhe raundi i dytë i zgjedhjeve për kryetar, sepse është një mundësi që parashihet me ligjin për zgjedhjet lokale. Zakonisht nuk shfrytëzohen të gjitha mjetet që planifikohen”.
“Meqenëse kemi pak kohë largë nga dita e zgjedhjeve të 23 prillit, ju njoftoj se KQZ-ja është duke përmbyllur detyrimet financiare nga ky proces dhe sipas ligjit do të publikohet një raport i plotë për shpenzimet zgjedhore dhe mënyrën e shpenzimit. Po sipas ligjit, afati për këtë është brenda 60 ditëve prej ditës së shpalljes së rezultatit të zgjedhjeve”, na thotë KQZ.
Zgjedhjet, qysh?
Po afrohej 23 prilli kur do të mbaheshin zgjedhjet e jashtëzakonshme në katër komunat të banuara me shumicë serbe, kur Zëvendës Kryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, ishte i bindur – si dy plus dy që bëjnë katër, sepse thoshte të ketë parë sondazhe kredibile – se Lista Serba “ka rënie të madhe te votuesit” dhe se “ka vullnet të madh demokratik për zgjedhje atje”. Për bojkotin e njoftuar nga partia e Goran Rakiqit, Bislimi kishte sërish përgjigje të prerë – është kamuflim përmes bojkotit pikërisht “i kësaj rënie në besueshmëri”, tregonte ai.
“Zgjedhjet janë themel i demo-kracisë”, i thoshte Bislimi Zërit të Amerikës pyetur se a mund të mbahen zgjedhjet në katër komunat veriore të populluara me shumicë serbe, por dështonte të tregonte nëse “demos”-i i atyre zonave do të dalë në votime për të konkretizuar “kracinë” komunale.
“Ka vullnet nga parti politike atje që të marrin pjesëmarrës në zgjedhje”, thoshte ai. “Ky vullnet mungon nga vetëm një subjekt politik”, vazhdonte duke i dhënë një nënkuptim thuase ata qëndrojnë diku minimalisht në përkrahje qytetare në ato zona. Bislimi ose po mashtronte rëndë ose po mashtrohej rëndë. Vetëm 13 serbë do të votonin…Megjithatë, Bislimi nuk shquhet t’ia ketë qëlluar ndonjëherë në prognozat e tij.
I vetmi që kishte dalur kundër haptazi decidivisht, ishte Kreu i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj. E kishte lexuar saktësisht situatën, parë sot pas më shumë se një muaji në retrospektivë. “Është hajgare çfarë po bëjnë këta”, tregonte Haradinaj në një debat televiziv në Klan Kosovë pak para zgjedhjeve.
“Do ta hupim ftyrën tonë, përsëri, se nëse rezultati është nën 10% i pjesëmarrjes…mos të bëjmë hajgare. Ne jemi duke e mashtruar veten jo dikë tjetër. Nganjiherë edhe aleatët tonë po të lajnë me dështu për me ta tregu venin. Me të zhvesë, tamam me të bë ashtu siç s’ke qef me qenë. Herën e parë ne kemi dështu, e kemi ngrit kryt kemi thanë ‘Na jemi shtet, kemi Kushtetutë, shpallim zgjedhje’. Mos m’e pas ardhë amerikani me të nxjerr, kishte mbet në të”, pati thënë Haradinaj.
“Zgjedhjet në Stacion të Policisë? Kush të mban zgjedhje në stacion të policisë?”. Këto dy pyetje ua shtroi Haradinaj panelistëve, disa prej tyre të cilët i drejtoheshin në narracionin e Lëvizjes Vetëvendosjes. “Kush mban zgjedhje në stacion të policisë, veç diktaturat. Kush tjetër?”, pyeti ai.
Pyetur se si do të rezultonin ato zgjedhje nëse vazhdohej asisji siç pandehte Bislimi e Sveçla, Haradinaj e dinte se “nuk ka rezultat, kjo është hajgare dhe eksperiment”.
Një muaj e gjysmë më vonë…fatura diplomatike
Nisja e një aparature të tërë policore për të siguruar që tre kryetarët e rinj të zgjedhur me (100, 197, 114) vota të nisin punën nga objektet zyrtare komunale, objekte këto “të paqasshme” në bazë të vullnetit të popullatës lokale atje që bojkotuan në përmasa absolute zgjedhjet, shkaktuan dënimin më të madh të dëgjuar ndaj autoriteteve të Kosovës nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Gjermanisë në veçanti, por edhe nga pjesa tjetër e QUINT’it. Një nismë e tillë nga ShBA u vlerësua për “masë e dhunshme” e cila “duhet të ndalet menjëherë”. Jo vetëm që të ndalet, por ShBA i ra toneve (para)lajmëruese se kjo do të bartte pasoja në marrëdhëniet e Kosovës me Shtetet e Bashkuara.
As një ditë më vonë, edhe një aleat kyç i Kosovës do të çuditej me veprimin e ndërmarrë të premten, përkundër kërkesës së QUINT’it që kryetarët e rinj duke qenë “kryetarë teknikë” të cilët “nuk duhet të ushtrojnë kompetenca përtej administrative” dhe të cilët, sipas tyre, duhet të mos nisin punën “në objekte të cilat mund të mos jenë të qasshme” ose “ku mund të mos jenë të dëshirueshëm”. Ishte Gjermania, e cili nisa për në Prishtinë të dërguarim e posaçëm të saj për rajonin, Manuel Sarrazin, i cili ia mësyu Zyrës së Kryeministrit e më pastaj edhe do të shkonte në selinë e EULEX-it në Mitrovicë dhe të takonte strukturën komanduese të forcës paqeruajte në NATO-s, KFOR-it, në Kosovë.
Sarrazin do të ashpërsonte tonet, e në raste më shumë se vetë Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken. Sarrazin, si një i angazhuar i dorës së parë në atë që në fillim ishte nismë franko-gjermane e për t’u konkluduar në Marrëveshjen Bazë për normalizim të marrëdhënieve të Kosovës, tha se prerazi se ka sjellë një mesazh në Prishtinë: “Nuk do të lejojmë që përmes vendimeve të budallme të shkojë posht’ Marrëveshja e Ohrit”.
Me këtë “vendime të budallme” Sarrazin do të hedhte poshtë tërë “mençurinë” e një vendimi të tillë të qeverisë kosovare që me doemos, e me aparaturë të rëndë policore, të instaloheshin kryetarët e rinjë legalë (ndonëse jo legjitimë) në tri komunat e veriut.
Sarrazin, Kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, e qortoi brutalisht në atë që mund të lexohej mes rreshtash në deklarimin e tij për media. “Nëse ju ndjeni se dikush po hedh lloç, kjo nuk të arsyeton të nisësh të gjuash lloç edhe ti”, tha ai nga selia e EULEX-it në Mitrovicë. Sarrazin, tha se “gjithsecili” politikan ka përgjegjësitë vetanake të veprimeve të tij.
Izolimi i Kurtit, ftimi i Osmanit, lajmërimi i zgjedhjeve të reja
Presidenti i Francës Emmanuel Macron dhe Kancelari i Gjermanisë, Olaf Scholz e ftuan Osmanin dhe jo Kurtin për takim në Kishinau, dhe kjo u lexua gjerësisht si “izolimi i parë diplomatik” ndaj Kurtit, pas kursit të tij të pandryshueshëm për ngjarjet në veri. Por, njëjtë si Kurti, ajo e frazoi “nevojën për zgjedhje në veri” duke i qëndruar thirrjes së kancelarit federal gjerman dhe presidentit francez.
“Ka qenë kërkesë e qartë e Gjermanisë dhe Francës që kurdo që organizohen zgjedhjet e reja të ketë participim, që të mos iu ndalohet serbëve që të participojnë. Brenda ligjeve tona, brenda kushtetutës tonë, ekziston mundësia që të ketë zgjedhje të reja”, ka deklaruar Osmani.
“Mirëpo është me rëndësi që serbët në veri të marrin pjesë. Participimi në demokraci është parakusht esencial në demokraci. Ata duhet të marrin pjesë dhe t’i zgjedhin kryetarët që ata dëshirojnë. Natyrisht, të sigurohet që të drejtat e tyre zbatohen nëpërmjet përfaqësuesve që ata zgjedhin”