Katër organizata joqeveritare që mbrojnë të drejtat e komunitetit serb në Kosovë – NSI, InTER, Aktiv dhe ACDC – u janë drejtuar Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara, Gjermanisë, Francës, Italisë dhe Britanisë së Madhe, përmes një letre publike, duke kërkuar mbrojtje për serbët në Kosovë.
Këto organizata kanë shprehur shqetësim, për, siç kanë thënë, “veprimet represive dhe agresive të Qeverisë së Kosovës dhe sjelljen e forcave speciale të policisë në veri të Kosovës”.
Këto organizata kanë thënë se bëjnë thirrje për paqe, si dhe për plotësim të disa kërkesave.
Në mesin e kërkesave drejt mekanizimit ndërkombëtar, mes tjerash, janë përmendur:
Tërheqja e njësiteve speciale nga veriu i Kosovës
Largimin e kryetarëve të rinj shqiptarë nga ndërtesat komunale në komunat veriore
Dislokimin e KFOR-it dhe EULEX-it në veri, për të garantuar sigurinë
Formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë
Organizimin e zgjedhjeve të reja në veri