Momçilo Vuçkoviq nga fshati Budriga e Poshtme në Kosovë, ka ndërruar jetë në moshën 43-vjeçare, të martën pasdite, në Qendrën Klinike në Prishtinë.
Ai ka pësuar një lëndim fatal në kokë gjatë rrugës për në mbledhjen e Partisë Përparimtare Serbe të Aleksandar Vuçiqit në Beograd, të quajtur “Serbia e Shpresës”.
Katër ditët e fundit të jetës i kaloi në koma. Ndërhyrja kirurgjike në tru nuk e ndihmoi – ishte tepër vonë, transmeton Telegrafi.
Udhëtimi i Momçilos filloi të enjten, më 25 maj, rreth 22:30. Rreth asaj kohe, ai hipi në njërin nga dy autobusët që ishin nisur nga Parteshi afër Gjilanit për në takimin e Partisë Përparimtare Serbe në Beograd të quajtur “Serbia e Shpresës”.
Në ata autobusë ishin kolegët e Momçilos nga shkolla e mesme ku ai punonte si shtëpiak. Anëtarët lokalë të Listës Serbe që kanë dashur të mbesin anonimë për “Vreme”, thonë se Momçilo e ka marrë vendimin që atë natë të largohet për në Beograd.
“Kuotat tashmë ishin plotësuar. Vuçkoviq nuk ishte në listë. Autobusët u nisën edhe nga Budriga e Poshtme ku ai banonte. Sidoqoftë, ai shkoi në autobus në Partesh dhe para se të nisej tha: “Të gjithë shokët e mi të shkollës po shkojnë në këtë autobus, më lër të shkoj me ta, të shohim se çfarë ka rreth kryeqytetit”.
Pasagjerët kishin dy netë të gjata dhe një ditë përpara. Ishte planifikuar që në mëngjes të mbërrijnë në Beograd, që pas gjithë ditës së kaluar në kryeqytetin serb, të jenë në një tubim në mbështetje të presidentit serb, Aleksandar Vuçiq dhe më pas gjatë natës, ata do të kthehen nga kanë ardhur, në Kosovë.
Dy autobusët nga Parteshi po i ndiqte edhe një autoambulancë. Në tubim dolën edhe disa mjekë dhe infermierë. Pasagjerët u ndjenë më të sigurt kur dëgjuan se mjekët ishin afër.
Sipas një prej pasagjerëve të autobusit në të cilin ndodhej Momçilo, atij i është dukur sikur kishte pirë pak më shumë kur vendosi të shkonte në atë rrugë.
“Prandaj njëri nga burrat tha se do të ishte mirë që Momçilo të shkonte te të afërmit e tij në Nish, ne e dinim që daja i tij jetonte atje. Njeriu që sugjeroi të linim kolegun e tij në Nish tha gjithashtu se kishte frikë se nuk do të mund të flinte deri në Beograd dhe se kishim një ditë të ngarkuar përpara”, shtoi dëshmitari.
“Më ka thirrur një i njohur nga Kosova dhe më ka thënë se së shpejti do të më njoftojë, kur të jetë autobusi në Nish, ku ta marr familjarin tim”, tha daja i tij.
Disa minuta më vonë ka ndodhur një gabim fatal për të cilin, siç thonë anëtarët e familjes së Vuçkoviqit, drejtësia do të vendoset në gjykatë.
Përkatësisht, sipas pohimeve të dëshmitarëve të shumtë, autobusët kanë ndalur në Doljevc, afër Nishit, në një pikë karburanti, në mënyrë që pasagjerët të pinin kafe.
“Momçilo ka blerë gjithashtu kafe. Ai doli për ajër të pastër dhe filloi të shtendosë muskujt e këmbëve. U pengua dhe ra me gjithë fuqinë e tij. Goditi fort pjesën e pasme të kokës në asfalt. Goditja e la pa ndjenja. Ai erdhi shpejt në vete, megjithatë pati panik në mesin e pasagjerëve”, theksoi një dëshmitar.
Një dëshmitar i cili nuk deshi të identifikohej, thotë se në atë moment në pompë ka qenë drejtori i Shtëpisë së Shëndetit nga Pasjani, si dhe të paktën tre mjekë, të cilët kanë qenë duke ndjekur autobusin.
“E kanë ekzaminuar Momçilon në pikën e karburantit. Ai kishte një prerje të vogël në kokë. Edhe pse u thanë se ai kishte rënë me kokë dhe se kishte humbur ndjenjat, ata arritën në përfundimin se nuk ishte “asgjë e rrezikshme”. Mjekët i fashuan kokën dhe i thanë se nuk kishte nevojë të shkonte në spital, por mund të vazhdonte në tubim. Njëri nga të pranishmit kundërshtoi mjekët dhe tha se ishte e papranueshme që një i lënduar të vazhdojë udhëtimin e tij”, shtoi ai.
Shumë shpejt telefoni i dajës së Vuçkoviqit cingëroi sërish. Siç thotë ai, një i njohur e ka telefonuar sërish, rreth 2 orë e 15 minuta pas mesnate. I thanë se Momçilo ishte lënduar dhe se do ta sillte një autoambulancë në rrethrrotullimin afër shtëpisë së tij dhe të shkonte e ta priste.
“Autoambulanca lëvizte me shpejtësi nën përcjelljen e rotacionit (dritës që sinjalizon urgjencë). Kur ata u ndalën para meje, dera u hap shpejt dhe një infermiere doli nga automjeti me familjarin tim. Ai kishte fasha në kokë. U shqetësova, por ajo tha se doktori tha se gjithçka është në rregull me Momçilon, se “nuk është asgjë” dhe se ata duhet të vazhdojnë. Ajo u kthye me nxitim në automjet”, thotë daja i Vuçkoviqit.
“Ata thjesht e lanë. Mjekun as që e pashë. A e kishte të vështirë të dilte jashtë? Pse nuk e çuan në spital? Pse nuk më thanë se do të ishte mirë po t’i bënte një incizim të kokës, do ta dërgoja. Spitali është afër, po të kishin shfaqur vetëm një fjalë shqetësimi, ai ndoshta do të kishte shpëtuar. Pse nxitonin kaq shumë, dhe unë i besova se ‘çfarë ka thënë mjeku”, tha ndër tjera.
Vuçkoviq natën e ka kaluar në shtëpinë e familjarit, ndërsa në mëngjes ka kërkuar të kthehet në Kosovë. Daja i Momçilos thotë për “Vreme” se ka rënë dakord me prindërit e familjarit që të takohen në pikëkalimin kufitar Dheu i Bardhë.
“Diku pas Bujanocit kam vërejtur se Momçilos i ka rënë koka. Dukej se e kishte zënë gjumi. Pak më tutje, në pikëkalimin kufitar, takova motrën time, nënën e tij. Nuk arritëm ta zgjonim, e transferuam në automjetin e saj”, shtoi ai.
Momçilo në fakt ra në koma. Ai nuk është zgjuar që atëherë. Familja fillimisht e ka dërguar në Shtëpinë e Shëndetit në Pasjan, pastaj në Gjilan, prej nga me autoambulancë është transportuar në Prishtinë.
Mjekët atje e referuan menjëherë në skaner. Është konstatuar se ka pasur gjakderdhje të brendshme, si pasojë e goditjes së kokës në beton, i kanë plasur dy kapilarë në tru. Shanset e tij për të mbijetuar ishin tashmë minimale.
“Mjekët në Prishtinë na thanë se operacioni është dashur të bëhet gjatë natës, se ka humbur kohën e çmuar. E operuan. Ata u përpoqën të ndihmonin, e pamë që po përpiqeshin. Ata duhej ta fusnin në koma të induktuar përveç komës në të cilën ra. Megjithatë, ai nuk mbijetoi, vdiq të martën”, tha daja i tij.