Gjatë ditës së djeshme u njoftua se festivali “Sunny Hill” nuk do të mbahet këtë vit. Sipas organizatorëve, ata janë duke kërkuar një hapësirë të re.
Gjithashtu përmes një njoftimi në faqen zyrtare të festivalit në “Instagram”, u njoftua se datat për mbajtjen e “Sunny Hill” janë zhvendosur për në gusht të vitit 2024.
Këtë gjë e ka konfirmuar edhe këngëtarja e famshme me origjinë shqiptare, Dua Lipa. Ylli i muzikës ka postuar në “Instastory” njoftimin zyrtar dhe në të shkruan:
“Ne besojmë se nxitimi i procesit të punës do të zvogëlonte cilësinë dhe esencën e asaj që “Sunny Hill Festival” përfaqëson. Duke qenë edhe vet fansa të muzikës dhe festivaleve, ne besojmë shumë në ofrimin e përvojës unike dhe të jashtëzakonshme që ne si festival duhet ta ofrojmë. Prandaj, kemi marrë vendimin e vështirë për ta shtyrë edicionin e këtij viti të Sunny Hill Festival, që t’i japim kohë krijimit të hapësirës së re. Ruani datat për një edicion masiv të “Sunny Hill Festival” në fundjavën e parë të gushtit 2024”.
Ndërkaq rikujtojmë se ylli i muzikës është duke shijuar lidhjen e sa më të re me regjisorin Romain Gavras. Dyshja u shfaqën shumë të dashuruar teksa bënë debutimin e tyre në tapetin e kuq në Festivalin e 76-të të Filmit në Kanë. Këngëtarja 27-vjeçare me origjinë shqiptare konfirmoi në mars se ishte në lidhje me regjisorin 41-vjeçar Romain Gavras. Çifti deri më tani e ka mbajtur marrëdhënien shumë private.