Goran Rakiq, kryetar i Listës Serbe, ka dalë me një varg kërkesash ndaj institucioneve të Kosovës.
Teksa po qëndronte në Zveçan bashkë me protestuesit, ai foli para mediave duke i renditur kërkesat e tyre në mënyrë që protestat të ndalen.
Ndër to, kreu i partisë vasale të Beogradit tha se të gjitha procedurat hetimore ndaj protestuesve serbë të ndërpriten dhe të gjithë ata të lirohen.
“Këto janë kërkesat e qytetarëve që po protestojnë qetë në komunat në veri. Ato janë kërkesa të njohura: largimi i njësive speciale nga ndërtesat komunale; lirimi i qytetarëve tanë të arrestuar, të rrëmbyer, atë ditë kur ishin protestat; të mos vijnë kryetarët e komunave si kaubojë, sepse kjo nuk është ‘pordha e tyre’, por shtëpi e qytetit, që duhet t’u shërbejë qytetarëve dhe të ofrojë shërbime për ta. Kjo do të ishte faza e parë për përmbushjen e kërkesave tona”, deklaroi Rakiqi, raporton Klankosova.tv.
Ndërkaq faza e dytë, sipas tij, është tërheqja e të gjitha njësive speciale të Policisë së Kosovës nga pjesa veriore, si dhe të formohet Asociacioni.
Por, ajo që Rakiqi e konsideroi si më të rëndësishmen, është ndërprerja e të gjitha hetimeve penale ndaj të gjithë serbëve që morën pjesë në protestat e fundit, por edhe ata që ishin nëpër barrikada.
“Ajo që është më e rëndësishmja është që të ndërpritet të gjitha procedurat hetimore ndaj të gjithë njerëzve që kanë marrë pjesë, jo vetëm në këto protesta, por edhe në barrikadat e kaluara, pra që të ndërpriten të gjitha procedurat hetimore për ata njerëz që morën pjesë në barrikada dhe kundër njerëzve që sot dhe dje protestojnë këtu në Zveçan, Zubin Potok e Leposaviq”, tha Rakiqi.