Doktor Selman Demolli ka njoftuar se nga sot e tutje nuk do të punojë më si mjek në Qendrën Klinike dhe universitare të Kosovës.
Demolli përmes një postimi në Facebook, ka njoftuar se vendimi i tij për t’u larguar nga QKUK ka qenë i vështirë dhe i mirëmenduar.
I njëjti ka bërë të ditur se para disa ditëve i është drejtuar Drejtorit të Klinikës së Gjinekologjisë për pushim pa pagesë, dhe të njëjti nuk i janë përgjigjur në kërkesë.
Demolli ka thënë se neglizhenca në mos-përgjigje e ka vërtetuar që ai nuk dëshiron dhe nuk duhet të jetë pjesë e kësaj klinike.
“Rreth një muaj më parë, saktësisht me datë 12.05.2023, i jam drejtuar në formë zyrtare Drejtorit të Klinikes Gjinekologjike dhe drejtoratit të SHSKUK-së me kërkesë për pushim pa pagesë, me arsyetime të mia personale dhe me nevojën për të qenë afër familjes për një kohë të caktuar, po e cek edhe një herë, pa pagesë. Neglizhenca dhe mos-përgjigjja lidhur me këtë kërkesë timen tash e disa javë ka qenë pika e fundit e cila më ka vërtetuar se une, Selman Demolli, më nuk dua dhe nuk duhet të jem pjesë e kësaj klinike.” – ka shkruar ai.