Kandidati për deputet nga radhët e Nismës Socialdemokrate, Bilall Sherifi ka kërkuar që të merren seriozisht postimet e ish të dërguarit të posaçëm të ish-presidentit Donald Trump për dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell.
Ky i fundit, pas certifikimit të rezultateve të zgjedhjeve, doli me disa postime kundër Albin Kurtit duke e quajtur atë anti-amerikan, transmeton Indeksonline.
Sherifi me anë të një postimi të gjatë u shprehë se ndikimi i Grenellit në botë tejkalon kufijtë e ndikimit të një amerikani të zakonshëm.
“Kushdo që beson që tweet-et e tij nuk kanë kurfar ndikimi sepse ai tash nuk është më në pushtet gabon rëndë. Grenell është politikan me shumë kontakte në gjithë botën”, tha ndër të tjera në postimin e tij Bilall Sherifi.
Postimi i tij i plotë pa ndërhyrje:
Ndikimi i Richard Grenellit tejkalon kufinjtë e ndikimit të një “qytetari” të zakonshëm amerikan!
Nëpërmjet dy qëndrimeve të publikuara në rrjetin social Twitter, ish i ngarkuari i posaçëm i SHBA-ve për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë alarmon për dy qëndrime të Vetëvendosjes, e cila ka fituar besimin e qytetarëve të Kosovës në zgjedhjet e 14 shkurtit që të udhëheqë me institucionet e shtetit të Kosovës.
Në Tweetin e parë, të datës 3 mars 2021, të cilën Richard Grenell ia drejton z. Jake Sullivan, Këshilltarit për Siguri Kombëtare të presidentit të SHBA-ve, pohon se “Albin Kurti dhe partia e tij besojnë që Izraeli është ndërtuar duke kryer krime dhe pohojnë që SHBA dhe Mbretëria e Bashkuar ka mbështetur këtë krim. Këto janë thënie shumë të rrezikshme nga një aleat i SHBA-ve”.
Në mbështetje të pohimeve të tilla, Richard Grenell i ka bashkëngjitur një kopje të një pjese të shkrimit të titulluar “Vetëvendosje për Palestinën” të Boiken Abazit, njërit nga figurat më të rëndësishme të Lëvizjes Vetëvendosje, në të cilën thuhet në mënyrë të qartë se: kemi të bëjmë me një krim kundër njerëzimit, siç është pushtimi, spastrimi etnik dhe kolonizimi i palestinezëve nga izraelitët. Shteti Izraelit është ngritur mbi këtë krim me mbështetjen e drejtpërdrejtë ushtarake dhe ekonomike të SHBA-së, Mbretërisë së Bashkuar dhe të plot shteteve të tjera Perëndimore.
T’i japësh vetes të drejtë të akuzosh “SHBA-të, Mbretërinë e Bashkuar dhe plot shtete të tjera perëndimore” dhe ta thjeshtëzosh këtë çështje duke e cilësuar se “në njërën anë ndodhet pushtuesi që ka në dispozicion një prej forcave ushtarake më të fuqishme në botë”, pra Izraeli, dhe “në anën tjetër ndodhet populli i pushtuar i Palestinës, cili është përpjekur t’i rezistojë këtij pushtimi me të gjitha metodat e mundshme, në demonstrata, bojkote dhe rezistencë të armatosur” është jo vetëm shtrembërim i historisë, por tejet i dëmshëm për interesat tona kombëtare.