Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka folur edhe sot për rrugën që mund të çojë në shtensionimin e situatës në veri.
Kurti tha se prania e Policisë së Kosovës në veri mund të zvogëlohet vetëm kur të largohen bandat kriminale nga ndërtesat komunale atje.
“Besoj që kryetaret e komunave duhet të jenë në ndërtesat dhe zyret e kryetarëve të komunave, nuk ka nevojë për paralelizma, kemi nevojë për normalitet. Cili është kuptimi që kemi ndërtesa dhe ato nuk shfrytëzohen dhe e fundit. Unë mund ta paramendoj zvogëlimin e Policisë se Kosovës në ndërtesat e komunave kur do të largohen këto banda kriminale të nacionalizimit e shovinizmit ekstrem të cilët e adhurojnë Millosheviqin e Putinin, ose të shkojnë në Serbi ose në burg, mirëpo nuk ka mundësi që ne mos t’i mbrojmë asetet dhe ndërtesat e Republikës nga bandat e këtij vendi. Kur ato të largohen ose mbyllen ne do të mund ta zvogëlojmë numrin e policëve”, tha Kurti sot para gazetarëve.
Kryeministri shtoi se situata e tensionuar në veri të vendit është pasojë e “grupeve të armatosura, të cilat shtiren si protestues, e në fakt janë banda kriminale” të Serbisë.
“Sot ne ndodhemi në një situatë të vështirë për shkak grupeve të armatosura të cilat shtiren si protestues, e në fakt janë banda kriminale në veriun e Kosovës prej të cilëve duhet të çlirohet Republika jonë demokratike por edhe komuniteti serb, dhe për këtë e kemi mbështetjen e ShBA-së”, tha Kurti.
Kurti tha që kryetari i një komune detyrat e tij duhet t’i kryejë nga objekti i komunës, dhe jo në një vend alternativ.
“Unë besoj që vendi i punës së kryetarit të komunës duhet të jetë në ndërtesën publike të komunës, sepse ndërtesa publike e komunës është ndërtesa e Republikës. Ka gjendje të jashtëzakonshme sikurse ajo me pandeminë COVID-19 kur edhe ne nuk kemi qenë në vendet e punës për shkak që nuk kishte vaksina, mirëpo vendi i punës së kryetarit është në atë ndërtesë por unë besoj që është mirë të jetë atje”, tha ai para gazetarëve.