Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u kërkoi krerëve të Kosovës dhe atyre të Serbisë që të ulin tensionet, duke paralajmëruar se ata po rrezikojnë aspiratat e integrimit evropian.
“Ne u bëjmë thirrje qeverive të Kosovës dhe të Serbisë që të ndërmarrin hapa të menjëhershëm për të ulur tensionet”, u tha Blinken gazetarëve në Oslo të Norvegjisë, shkruan REL.
Duke folur pas një takimi të ministrave të jashtëm të NATO-s në Oslo, Blinken tha se shumë aleatë u shprehën të shqetësuar për tensionet në veri të Kosovës.
Kjo nuk është hera e parë që sekretari Blinken ka reaguar për tensionet në pjesën veriore të Kosovës.
Përndryshe, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, ditë më parë, më saktësisht të premten e kaluar ka reaguar ashpër duke dënuar aksionin e Policisë së Kosovës në veri.
Në reagimin e tij Blinken i ka bërë thirrje Kurtit të ndalojë menjëherë veprimet që ai i ka quajtur “masa të dhunshme” dhe të ripërqendrohet në dialog.
Shtetet e Bashkuara të Amerikës dënuan të premten veprimet e Qeverisë së Kosovës “për të hyrë me forcë në ndërtesat e komunave në veri të Kosovës”.
Me anë të një deklarate, Blinken u shpreh se kjo qeveri i ndërmori këto veprime në kundërshtim me këshillat e Shteteve të Bashkuara dhe partnerëve evropianë të Kosovës.
“Këto veprime kanë përshkallëzuar në mënyrë të mprehtë dhe të panevojshme tensionet, duke minuar përpjekjet tona për të ndihmuar në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe do të kenë pasoja për marrëdhëniet tona dypalëshe me Kosovën”, thotë deklarata