Kuvendi i Kosovës nesër pritet të mbajë një seancë të veçantë, ku pikë e vetme e rendit të ditës do të jetë situata në veri të vendit.
“Betimi për Drejtësi” ka siguruar ftesën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufcës dërguar deputeteve për mbajtjen e kësaj seance, ku pritet të zhvillohet debat parlamentar për situatën në veri të Kosovës pas protestave të dhunshme në tri komunat në veri.
Në mbledhjen e djeshme të Kryesisë së Kuvendit, grupet parlametnare opozitare kërkuan që sa më shpejt Kuvendi të mblidhet, duke kërkuar që në këtë seancë i pranishëm të jetë edhe kryeministri Kurti dhe të raportojë mbi situatën dhe qëndrimet e tij.
Kujtojmë se protestat në tri komuna në veri të vendit filluan më 26 maj, kur grupe të serbëve lokalë u grumbulluan para objekteve komunale për të protestuar kundër hyrjes së kryetarëve të rinj shqiptarë të Zveçanit, Zubin Potokut dhe Leposaviqit në to.
Zgjedhjet në katër komunat në veri, të banuara me shumicë serbe u mbajtën më 23 prill pas dorëheqjes së kryetarëve nga radhët e Listës Serbe – partisë më të madhe të serbëve të Kosovës, në nëntor të vitit të kaluar.
Zgjedhjet u bojkotuan nga popullata shumicë serbe në atë zonë, që tani nuk i pranon kryetarët e rinj.
Përshkallëzimi në veri kulmoi të hënën, më 29 maj, kur trupat paqeruajtëse të KFOR-it ndërhynë në Zveçan “për të shmangur përplasjet mes palëve dhe për të minimizuar rrezikun e përshkallëzimit”.
Nga kjo përleshje që ndodhi, 30 ushtarë të KFOR-it u lënduan.
Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tjerë perëndimor thanë se përdorimi i forcës minon përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi dhe bënë thirrje për qetësim të situatës.
Kryeministri Kurti, i ka mbrojtur veprimet e Policisë së Kosovës, e cila ndihmoi instalimin e kryetarëve të rinj shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës, përkundër rezistencës së banorëve lokalë.