Policia e Kosovës, përmes një komunikate për media u ka bërë thirrje qytetarëve që të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë në Jug të Mitrovicës, me qëllim kinse për marshin në veri të vendit, shkruan Gazeta Metro.
PK’ja këtë kërkesë e ka bërë, pasi në media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për të cilën nga policia është thënë se, është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija.
Nga Policia është bërë thirrje për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur.
Komunikata e plotë:
Policia e Kosovës u bënë thirrje qytetarëve të shpërfillin thirrjet për pjesëmarrje në protestë
Prishtinë, më 01 qershor 2023
Policia e Kosovës është në dijeni se, nëpër media të ndryshme sociale, nga persona dhe profile të ndryshme, janë duke qarkulluar postime me thirrje ndaj qytetarëve shqiptarë, për pjesëmarrje në gjoja protestë masovike, sot në ora 12:00, në Jug të Mitrovicës dhe me synim kinse për marshim në Veri të vendit.
Dëshirojmë të sqarojmë se, pas vlerësimeve nga institucionet e sigurisë është vërtetuar se shumë nga këto profile janë të dyshimta dhe se postimet mund të jenë qëllimkëqija, në dëm të vet qytetarëve dhe interesave të Republikës së Kosovës.
Prandaj, Policia e Kosovës fton qytetarët për qetësi dhe të mos bien pre e asnjë gjoja organizimi nga persona të panjohur, por të lënë institucionet e sigurisë, institucionet e Republikës së Kosovës të trajtojnë situatën me profesionalizëm.
Garantojmë qytetarët se institucionet e Kosovës në përgjithësi, e në veçanti Policia e Kosovës, janë plotësisht të aftë dhe të përkushtuar për të garantuar siguri, rend dhe qetësi për të gjithë qytetarët pa dallim.
Ne e vlerësojmë lartë bashkëpunimin dhe mbështetjen e qytetarëve të Republikës së Kosovës, në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në vend.