Përfaqësuesit e protestuesve serbë në Zveçan i kanë kërkuar Misionit Paqeruajtës të NATO-s, KFOR, që të vendosë forcat e tij në rrugët e Zveçanit, në mënyrë që “Policia e Kosovës të mos afrohet dhe të ngrejë tensione”.
Pasi i thyen xhamat një veture të Policisë së Kosovës në qendër të Zveçanit, serbët pretendojnë se ndihen të rrezikuar nga njësitet policore, shkruan portali serb Kontakt Plus Mitrovica.
Siç pretendoi kryetari i Listës Serbe, Goran Rakiq, “ata kanë ardhur në qendër të Zveçanit dhe kanë rrezikuar kështu sigurinë e qytetarëve”.
Zyrtari i KFOR-it tha se do ta shqyrtonte kërkesën, por përmendi sulmin e bandave kriminale serbe ndaj pjesëtarëve të KFOR-it që ndodhi të hënën në Zveçan. Ai ngriti pikëpyetje mbi sigurinë e pjesëtarëve të KFOR-it nëse marrin vendim për vendosjen e trupave të tjerë jashtë rrethojave.