Një protestues serb në Zubin Potok ka thënë para kamerës së KosovaPress-it se është kundër vendosjes së flamurit të shtetit të Kosovës në objektin e Komunës, pasi sipas tij, aty duhet të valojnë katër S-të.
Ndonëse tha se kush është kryetar i komune “e përcakton politika”, ai teksa foli për katër S-të u shpreh se “vetëm bashkimi i shpëton serbët”.
“Le të jetë flamuri serb, derisa sa të njihet, por nuk është njohur, atë flamurin ta zbresim poshtë të vendosim katër S-të, vetëm bashkimi i shpëton serbët. Dhe Kosova, kjo është vërtet Kosova dhe ka qenë në kohën e Jugosllavisë Kosova, por nuk ka qenë republikë, por mirë, politikanët e përcaktojnë këtë. Ne nuk mund të përcaktojmë asgjë, por do të ishte mirë që ta hiqni nga atje lart dhe të vizatojmë vetëm serbisht kryqin dhe katër shkronja S, vetëm bashkimi i shpëton serbët, nuk kërkojmë asgjë tjetër. Dhe kryetari i bashkisë, kush do të jetë, është çështje e politikanëve, jo e jona”, ka thënë ai.
Edhe gjatë ditës së sotme qytetarët serbë kanë vazhduar protestat e tyre kundër kryetarëve të rinj shqiptarë të dalë nga zgjedhjet e 23 prillit.
Me qëllim të shtimit të sigurisë, forcat paqeruajtëse të KFOR-it kanë vendosur tela gjemborë rreth objektit të komunës në Zveçan. Ndërsa, shihet edhe prania e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.
Të hënën, protestuesit me maska e edhe ata pa maska kanë ushtruar dhunë ndaj pjesëtarëve të KFOR-it, Policisë së Kosovës dhe gazetarëve. Ata kanë hedhur gjësende të ndryshme në drejtim të paqeruajtësve, derisa kanë dëmtuar vetura të mediave, duke e djegur tërësisht veturën e një televizioni.
Si pasojë e protestave të dhunshme janë plagosur 30 ushtarë të KFOR-it.
Shtetet e Bashkuara kanë kritikuar Kosovën për përshkallëzimin e tensioneve me Serbinë, derisa anuluan edhe pjesëmarrjen e vendit në një stërvitje ushtarake të NATO-s “Defender 23”, pasi qeveria refuzoi t’i tërheqë kryetarët e komunave dhe forcat e saj policore nga veriu i vendit.