Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se nëpër komunat veriore do të vazhdojë të qarkullojë Policia e Kosovës.
Ai tha se policët nevojiten për ta ruajtur rendin dhe ligjin atje duke mbrojtur komunat nga bandat kriminale.
“Po, për sa kohë të jetë një turmë e dhunshme jashtë ndërtesës, nuk mund të kem vetëm pak policë. Më duhet të kem policë që ruajnë rendin dhe ligjin. Komuna është për të gjithë, e jo vetëm për bandat kriminale”, deklaroi Kurti në intervistë për CNN.
Kryeministri shtoi se Serbia, që ai e quajti “autokraci pro-ruse”, përmes milicisë fashiste po destabilizon veriun.
“Kemi dhjetëra video-filmime dhe foto të cilat tregojnë se milicia serbe është në vijën e parë të turmës së dhunshme, këta janë njerëz që i kemi identifikuar që vijnë nga Serbia. Fqinji ynë Serbia është një autokraci pro-ruse, kështu që atje nuk ka shumë demokraci. Kanë urdhëruar xhandarmërinë që të vijë dhe të bëjë trazira në veri të Kosovës”, deklaroi ai.