Charles Kupchan, nga Këshilli amerikan për Marrëdhënie me Jashtë, thotë se Qeveria e Kosovës duhet të tërhiqet nga përpjekjet për instalimin e kryetarëve shqiptarë në komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës.
Sipas tij, këto janë veprime që, në afat të gjatë, janë të padobishme dhe kundërproduktive.
Kupchan thotë se Qeveria në Prishtinë është duke luajtur një lojë taktike që mund të jetë e dobishme politikisht, por, nga aspekti strategjik, nuk është e mençur.
Radio Evropa e Lirë: Skena të dhunshme u panë sërish të hënën në veri të Kosovës, sidomos në Zveçan. KFOR-i ndërhyri pasi popullata lokale refuzoi të tërhiqej nga protesta. Mes ushtarëve të KFOR-it ka të plagosur, e po ashtu mes protestuesve. Kjo ndodhi pasi autoritetet e Kosovës morën ndërtesat komunale në veri. Si i komentoni këto zhvillime?
Charles Kupchan: Mendoj se është një zhvillim shumë shqetësues, sepse dhuna është rikthyer sërish në Kosovë, sidomos në marrëdhëniet midis serbëve në veri të vendit dhe shqiptarëve.
Unë, po ashtu, mendoj se jemi në një moment kur normalizimi [i marrëdhënieve] midis Serbisë dhe Kosovës ka një shans të mirë për të ecur përpara, kemi një kornizë [propozim] të BE-së që po diskutohet… dhe ky lloj i dhunës është i padobishëm.
Mendoj se Qeveria në Prishtinë është duke luajtur një lojë taktike që mund të jetë e dobishme politikisht, por, nga aspekti strategjik, nuk është e mençur.
Veprimet provokuese, si instalimi i kryetarëve shqiptarë në veri përkundër bojkotimit të zgjedhjeve nga popullata serbe, pastaj ndërrimi i targave të makinave… Këto janë çështje që shkaktojnë telashe dhe i rrisin tensionet në kohën kur ne duhet t’i shohim të dyja palët të qeta dhe të bëjnë përparim drejt një marrëveshjeje më të gjerë. Kështu që, unë mendoj se ky është një zhvillim fatkeq.
Radio Evropa e Lirë: Përkundër thirrjeve të komunitetit ndërkombëtar që të mos e përdorë forcën, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka dërguar policinë që t’i ndihmojë kryetarët të hyjnë në objektet komunale. Si e komentoni këtë vendim të tijin?
Charles Kupchan: Mendoj se të dyja palët duhet t’i shmangin veprimet që shkaktojnë telashe, që krijojnë mundësi për dhunë, që ngjallin zemërim te të dyja anët… sepse edhe Serbia i ka vënë forcat e saj në gjendje të gatishmërisë së lartë. Pra, edhe pse Qeveria e Kosovës mund të justifikohet, sepse i ka mbajtur zgjedhjet, këto janë veprime që, në afat të gjatë, janë të padobishme dhe kundërproduktive.
Siuata në veri, shpërqendrim nga marrëveshja me Serbinë
Radio Evropa e Lirë: Çfarë do të duhej të bënte Qeveria e Kosovës tani, sipas jush?
Charles Kupchan: Mendoj se zgjidhje është të tërhiqet nga përpjekja për t’i instaluar kryetarët e komunave dhe të marrë frymë thellë. Sepse, siç e thashë, ekziston një mundësi për të përfituar nga marrëveshja që ka ofruar Bashkimi Evropian. Mendoj se kjo ka potencial, dhe jo të shohim KFOR-in duke u konfrontuar me serbë të zemëruar në veri të vendit.
Mendoj se duhet të shohim që Qeveria e Serbisë dhe ajo e Kosovës ulen bashkë dhe përpiqen t’i përpunojnë detajet e marrëveshjes. Vetëmenaxhimi për komunitetin serb duket të jetë një prej pengesave kryesore. Mendoj se ajo që po ndodh tani në veri, është një shpërqendrim nga ky hap i rëndësishëm i marrëveshjes.
Radio Evropa e Lirë: Por, të dyja vendet duket se po shkojnë në drejtime të ndryshme, sa i përket normalizimit. Pse?
Charles Kupchan: Politikat e brendshme janë jashtëzakonisht të vështira te të dyja palët. Si pasojë e tyre, një ditë ndodh që Kurti dhe
[presidenti i Serbisë, Aleksandar]
Vuçiq, janë duke shkuar në drejtim të duhur. Ditën tjetër, pastaj, Vuçiq thotë: jo, nuk ka shpresë këtu, ndërsa Kurti bën diçka që është provokuese.
Pra, tani për tani, jemi në një situatë ku në teori, në parim, ekziston skica e një marrëveshjeje, por situata politike në të dyja anët shkon në drejtim të gabuar.
Radio Evropa e Lirë: Dua të kthehem në veri. Serbët lokalë refuzojnë ta pranojnë Policinë e Kosovës në terren. A është kjo çështje e negociueshme?
Charles Kupchan: Mendoj se situata në veri duhet të jetë pjesë e një zgjidhjeje apo diskutimi më të gjerë. Dhe, ndërkohë, do të doja ta inkurajoja Qeverinë në Prishtinë që t’i shmangë hapat e atillë që ka marrë ditëve të fundit. Ata e kanë provokuar popullatën serbe që jeton mbi lum, për të protestuar dhe për të përfunduar në konfrontime me KFOR-in – gjë që ka rezultuar në dhunë dhe të plagosur në të dyja anët.
Radio Evropa e Lirë: E përmendët edhe ju, Serbia ka rritur gatishmërinë e saj ushtarake dhe ka thënë se është duke dislokuar trupa afër kufirit. Kah është duke shkuar situata?
Charles Kupchan: Nuk mendoj se ka gjasa që forcat serbe të hyjnë në Kosovë, pjesërisht për faktin se do të konfrontoheshin me forcat e NATO-s. Kjo e vendos Serbinë dhe NATO-n në një pozitë shumë të vështirë, në një kohë kur po përpiqemi ta avancojmë integrimin e Serbisë në institucionet transatlantike dhe evropiane. Pra, nuk pres të shoh konflikt ushtarak si rezultat i hyrjes së ushtrisë serbe në veri të Kosovës.
Radio Evropa e Lirë: Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka paralajmëruar kryeministrin Kurti se kjo situatë
[në veri]
mund t’i ndikojë marrëdhëniet midis Kosovës dhe SHBA-së. Ju, si mendoni?
Charles Kupchan: E mbështes deklaratën e sekretarit Blinken se ky lloj sjelljeje mund të ketë kosto në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
Radio Evropa e Lirë: Sa përfiton Rusia nga kjo situatë? Kemi pasur sot një reagim të ministrit të Jashtëm rus për situatën në veri të Kosovës.
Charles Kupchan: Mendoj se çdo sjellje ngatërrestare në rajon shkon në dobi të Rusisë – qofshin ato deklarata të [udhëheqësit serb të Bosnjës, Millorad] Dodik, qoftë situata e vështirë politike në Mal të Zi, qofshin konfrontimet me KFOR-in… Rusët përpiqen të përfitojnë nga përçarjet, ndarjet dhe mosmarrëveshjet politike. Sa herë që shfaqen çarje, Rusia përpiqet t’i shfrytëzojë ato për të rritur ndikimin në rajon dhe për të penguar integrimin e rajonit të Ballkanit në institucionet evropiane dhe atlantike.
Unë mendoj se pushtimi rus i Ukrainës u dërgon një mesazh vendeve të rajonit se Rusia, në planin afatgjatë, nuk është një partner i besueshëm. Agresioni i saj kundër Ukrainës duhet ta bindë Serbinë, për shembull, se ajo duhet të shikojë më qartë dhe të jetë më e gatshme për të ecur drejt integrimit në Evropë. Por, nuk jemi ende atje. Jemi ende në një situatë në të cilën Rusia ka hapur gropa në rajon dhe përfiton nga mosmarrëveshjet rajonale, në përpjekje për të rritur ndikimin e saj.
Radio Evropa e Lirë: Dhe, në fund, veriu i Kosovës është problematik me vite. Si e shihni zgjidhjen e këtij problemi?
Charles Kupchan: Mendoj se është një nga çështjet më të vështira në një grumbull shumë të ndërlikuar problemesh rajonale. Kjo, për shkak se ju keni një shumicë të serbëve etnikë brenda një vendi, që ata mendojnë se nuk i përkasin. Ata kanë besnikëri më të madhe ndaj Serbisë sesa Kosovës. Mendoj se zgjidhje për këtë është që të arrihet një marrëveshje paketë, një marrëveshje e gjerë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, që i jep pakicës serbe në Kosovë sigurinë për të qëndruar në vend dhe ndjenjën që i përket atij. Se si do të arrihet kjo, nuk e dimë ende. Mendoj se është një nga pjesët më të vështira të bisedimeve që po zhvillohen mes Kosovës dhe Serbisë. Por, mua më duket se mund të zgjidhet vetëm si pjesë e një pakete më të gjerë marrëveshjesh, që përfundimisht i çon Kosovën dhe Serbinë drejt normalizimit të marrëdhënieve.